Ekskluzive/ Ora News zbardh dosjen e kokainës te “Varri i Bamit”, Policia: Gazetari na pengoi ndaj e ndaluam. Në kërkim, Eduart Perhati

Ora News, zbardh ekskluzivisht dosjen e plotë të ngjarjes tek "Varri i Bamit", ku agjentët e Antidrogës së Tiranës dhe RENEA-s, ndërhynë për të kapur disa anëtarë të një grupi kriminal që vepron në kryeqytet dhe merret me tregtinë e drogës. Në dosje policia nuk flet fare për një dorëzim të kontrolluar me agjentin e saj, por pasqyron një situatë të thatë për sa i përket zbulimit të anëtarëve të këtij grupi kriminal dhe sigurimit të informacionit se pikërisht në atë vend do të shkëmbehej kokaina me sasinë e 100 mijë eurove.

Mes personave që ishte pjesë e grupit të përbërë nga Gentian Kore, Altin Gega, Taulant Çuku dhe Erjon Prenga, është zbuluar se ishte dhe Eduart Perhati alias Skënderi 33-vjeç. Ky person momentalisht është shpallur në kërkim dhe dyshohet, sipas policisë, se mori sasinë e lëndës narkotike dhe u largua, duke mos u arrestuar dot më pas. Megjithëse është në kërkim, ndaj tij tashmë është nisur një procedim penal për “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”.

Drejtuesi i Benzit: Ika se kisha frikë mos më vidhnin makinën

Në dokumentet e siguruara nga Ora News flitet edhe për pronarin e “Benzit” luksoz që u shpëtoi nga duart 5 efektivëve të policisë së Tiranës. Policia ka mundur të ndalojë dhe më pas të pyesë në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime, Gazmir Canin, i cili deklaroi se nuk ka lidhje me ngjarjen dhe arsyeja pse është larguar nga vendi i ngjarjes ka qenë se sapo sapo ka vënë re prezencën e punonjësve të policisë, ishte frikësuar pasi mendoi se do ti vidhnin makinën dhe është larguar.

Shkëmbimi i kokainës brenda një zyre e djali me picat në duar

Gjithmonë sipas kësaj dosje, në datën 27 korrik 2021, thuhet se shërbimet policore kanë parë Gentian Koren dhe tre persona të tjerë të paidentifikuar që hynin dhe dilnin nga dyqani i pikës së makinave me qira të Gentian Kores. Këta persona ishin me një makinë autoveturë të markës "Volvo" me targë DO XC 500.

Në një moment, pasi hynë këta persona në dyqanin e pikës së dhënies së mjeteve me qira, vjen dhe një makinë tip autoveturë e markës "Volsvagen" me targë AA573SO, nga e cila zbret një djalë me dy kuti picash në dorë dhe futet në dyqanin e dhënies së mjeteve me qira të Gentian Kores.

Duke pasur dyshime se djali me kuti picash mund të kishte sjellë lëndën narkotike, është vendosur ndërhyrja në këtë ambjent me qëllim kapjen në flagrancë të gjithë këtyre personave sëbashku me lëndën narkotike.

“…sapo jemi afruar për të hyrë në dyqanin e pikës për dhënie mjetesh me qira, me jelek me mbishkrim “…policia…”, janë larguar me vrap të gjithë personat që ndodheshin aty dhe konkretisht te dera e dyqanit është bllokuar Gentian Kore. Pak metra më larg, ku ishte automjeti tip “Volvo” me targë DO XC 500, janë bllokuar Altin Gega dhe Erjon Prengaj, dhe të hedhur tek dera makinës “Volvo” kemi konstatuar dhe një telefon të markës “Iphone”-thonë efektivët e policisë.

Kapja e kokainës

Më tej në dosje thuhet se disa metra më larg është kapur me vrap djali me kutitë e picave dhe Taulant Çoku. Ky i fundit është bllokuar direkt nga shërbimet e policisë. Djali me kutitë e picave është futur mes pallateve në rrugën “Gjolek Kokona”, dhe pranë një klinikë dentare ky shtetas ka hedhur poshtë një makine të parkuar dy kutitë e picave dhe është larguar me vrap, duke i shpëtuar kapjes së policisë.

Në njërën nga kutitë e picave është gjetur një pako me letër celefoni transparente, në formë drejtkëndëshi si tullë, brenda të cilës ka material pluhur të ngurtësuar, me ngjyrë të bardhë të dyshuar si lëndë narkotike kokainë. Pasi u bë sekuestrimi i lëndës së dyshuar narkotike të llojit kokainë, u bë peshimi i saj dhe rezultoi se ishte 1.128 gram drogë.

Skena me Benzin luksoz e retushimi i fjalëve

Punonjësit e policisë pasi kanë ndërhyrë në momentet e para kanë konstatuar një automjet tip autoveturë të markës “Mercedes Benz” me targë AA 909 YE, të cilit i kanë bërë shenjë ndalimi, për ta verifikuar nëse personi në mjet kishte ndonjë lidhje më këtë ngjarje.

“…personi në mjet ka ndaluar për momentin dhe nuk ka pranuar të dalë nga mjeti, me gjithë thirrjet e vazhdueshme si: “… policia, ndalo mjetin, dhe dil nga makina…”, ka kundërshtuar punonjësit e policisë dhe duke i dhënë gaz makinës dhe duke u rrezikuar jetën punonjësve të policisë dhe në rrugën e “Oxhakut”, rreth 200-300 metra më tutje, në ndjekje e sipër, në bashkëpunim me shërbimet e policisë rrugore, ky mjet është ndaluar dhe rezultoi se drejtuesi automjetit quhej Gazmir Cani 25 vjeç".

Në fakt policia ka retushuar dëshmitë, pasi në videon e realizuar nga kalimtarët e rastit, policia këtij qytetari i bërtet me fjalët "hape derën o K…hape derën o B…q…jemi policia".

“Gazetari na u bë pengesë ndaj e ndaluam”

Në dosje flitet edhe për ndalimin dhe shtrirjen në tokë të gazetarit së “News 24”, Ergys Gjençaj.

“…në momentin e ndërhyrjes para dyqanit të pikës së mjeteve është parë një person, duke filmuar me telefon në dorë, në këtë moment nga shërbimet e policisë duke mos qënë e qartë se çfarë po kërkonte ky person. I është kërkuar të largohej, por ai ka vazhduar të filmojë duke u afruar më shumë dhe është bërë pengesë e punonjësve të policisë gjatë zhvillimit të operacionit. Në këto rrethana punonjësit e policisë kanë bërë bllokimin e tij dhe në moment e kanë shtrirë në tokë për ta prangosur dhe ka thënë se ishte gazetar. Pas paraqitjes së dokumentit (bejxhit), të cilin e ka marrë tek makina, është identifikuar si gazetar me emrin Ergys Gjencaj dhe është lënë i lirë…”-thonë policët.

Të arrestuarit heshtin, s’pranojnë të flasin

Lidhur me këtë ngjarje policia e Tiranës ka marrë në pyetje në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime pronarin e zyrës së dhënies me qira të makinave, Gentian Kore. Ky i fundit ka deklaruar se nuk dëshiron të japë shpjegime në këtë faze dhe se do të japë shpjegime në një moment të dytë. Gjithashtu është pyetur në cilësine e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime Altin Gega, i cili po ashtu deklaroi se nuk dëshiron të japë shpjegime në këtë fazë.

Po ashtu është pyetur në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime, Taulant Çoku, i cili deklaroi se ishte gjendur në ambjentet e dyqanit në momentin e gabuar dhe se nuk ka lidhje me shitblerjen e lëndëve narkotike. Në pyetje është marrë dhe Erjon Prenga, i cili nuk ka pranuar të japë shpjegime për këtë ngjarje.

Ndaj të gjithë këtyre personave është ngritur akuza e “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”. E njëjta akuzë është ngritur edhe për personin e shpallur në kërkim Eduart Perhati alias Skënderi. Ndërsa për Gazmir Canin është ngritur akuza e “Kundërshtimit të punonjësve të policisë dhe rendit publik”.

EMISIONET