Pesë të arrestuar për kokainën te “Xhamlliku”, policia sqaron çfarë ndodhi dje në biznesin e makinave me qira

Pesë është numri i personave të arrestuar nga operacioni antidrogë një ditë më parë, teksa një tjetër është shpallur në kërkim. Një prej personave të vënë në praga rrezikoi jetën e efektivëve të policisë, teksa u largua me shpejtësi me makinë nga vendngjarja.

1 kilogram e 128 gramë kokainë është sasia e lëndës narkotike të sekuestruar në operacionin antidrogë të zhvilluar të martën në kryeqytet. Ndërkohë janë arrestuar 5 persona dhe një tjetër është shpallur në kërkim.

Lidhur me operacionin e koduar “Xhamlliku”, policia bën me dije se të arrestuarit Taulant Çoku, 34 vjeç, Altin Gega, 28 vjeç dhe Erjon Prengaj, 32 vjeç dyshohet se kryenin aktivitet të paligjshëm në ambientet e biznesit të 47-vjeçarit Gentian Kore.

Sapo kanë parë shërbimet e Policisë, 4 personat e sipërmendur kanë tentuar të largohen me vrap, por janë neutralizuar dhe prangosur nga efektivët e antidrogës.

Mësohet se gjatë tentativës për t’i shpëtuar policisë, ata kanë fshehur lëndë narkotike kokainë, e cila është zbuluar dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale".

Ndërkohë gjatë këtij operacioni u ndalua edhe 26-vjeçari Gazmir Cani, i cili u filmua duke u larguar me shpejtësi me mjetin e tij, duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë.

26-vjeçari Cani është arrestuar nën akuzën e “Kundërshtimit të punonjësve të policisë”, pasi nuk iu bind urdhit për të ndaluar për t’u verifikuar nga ana e bluve gjatë operacionit të Antidrogës.

Gjithashtu teksa po vijon puna për identifikimin e personave të tjerë si anëtarë të këtij grupi kriminal, bëhet e ditur se është shpallur në kërkim edhe një person tjetër si bashkëpunëtor në këtë ngjarje, shtetasi E(E). P(S)., 33 vjeç.

EMISIONET