Ekskluzive/Mafia shqiptare e drogës në Itali, drejtuesit e Antidrogës: Lojtare e besueshme në skenën ndërkombëtare
Kokaina që mbërrin në Itali e më pas shpërndahet në Europë, menaxhohet nga mafia shqiptare e mafia kalabreze Ndrangheta. Kjo tendecë rekord po konfirmohet dhe në këtë gjashtëmujor të parë të vitit 2022 e RTV Ora e Ora News zbardh eksluzivisht se nga janari i 2022 e deri sot, në Itali janë kapur mbi 21 tonë kokainë e në shumicën e operacioneve të sekuestrimit janë përfshirë trafikantë e korrierë të mafias shqiptare, si dhe janë zbuluar lidhjet e tyre me grupet e strukturuara kriminale shqiptare. Në një prononcim ekskluziv për RTV Ora e Ora News, Drejtori i Përgjithshëm i Antidrogës italiane konfirmon se operacionet ajrore të Guardia di Finanza Italiane kanë identifikuar një rritje të plantacioneve të drogës në Shqipëri. Në vitin 2021 operacionet ajrore të Finanzës italiane kanë çuar në shkatërrimin e rreth 98 mijë bimëve kanabis, ndërsa më 2020 ishin rreth 60 mijë rrënjë.
Është prezantuar sot në Romë raporti Vjetor i Antidrogës Italiane me analizën statistikore të të dhënave të vitit 2021.
Grupet kriminale shqiptare konfirmohen ndër më komplekset e të artikuluarat ndër strukturat kriminale entike në Itali, të aftë për t'u pozicionuar në nivelet më të larta të krimit e të shtrirë gjerësisht në territorin italian.
Gjithnjë e më i rëndësishëm bëhet roli i tyre në trafikun e kokainës dhe heroinës, ndërsa trafiku i marijuanës e hashashi i trafikuar nga Shqipëria ka ardhur duke u reduktuar gjatë dy vitevet të fundit.
Drejtuesit më të rëndësishëm të Antidrogës italiane në Itali e në Kolumbi kanë deklaruar eksluzivisht për RTV Ora e Ora News, rrezikshmërinë në rritje të mafias shqiptare në Itali, Europë e në vendet e Amerikës Latine si Kolumbi e Ekuador.
Në botën e narkotrafikut organizata kriminale shqiptare janë lojtare të besueshme e të afirmuar në skenën ndërkombëtare, kanë aftësinë të trafikojnë sasi të mëdha kokaine e heroine përmes vendeve europiane e veçanërisht vendeve të ulëta e shpesh shfaqen si ndërmjetës të besueshëm të mafias kalabreze, kampanjeze e siçiliane, por dhe të grupeve të të krimit të strukturuar i pranishën në Itali.
Sipas analizës së ekspertëve të antidrogës italiane, emigrimi masiv i shqiptarëve gjatë dekadave të fundit ka bërë që të strukturojnë marrëdhënie fitimprurëse me krimin autokton të vendeve pritëse e të depërtojnë në aferat më të frutshme kriminale në këto vende, të forcojnë aftësinë e tyre falë ndërmjetësve bashkëpunëtorë të pozicionuar në zona të ndryshme gjeografike të botës.
Sipas analizës vjetore të të dhënave të 2021, në Kolumbi mafia shqiptare e Ndrangheta janë ndërmjetësit kryesorë të narkotrafikantëve kolumbinaë.
Prania e mafias shqiptare është dokumentuar jo vetëm pranë vendeve të prodhimit të kokainës në Kolumbi por dhë në Ekuador, që konsiderohet territori i magazinimit e aferave llogjistike të biznesit të trafikut të kokainës nga Amerika Latine drejt kontinentit amerikane e drejt Europës.
Viti 2021 ka regjistruar një rekord të sekuestrimit të kokainës në Itali, 20.07 ton kokainë ose 47 % më shumë se një vit më parë kur janë kapur rreth 13 tonë kokainë. Mbi 66% e kokainës është kapur në portin kalabrez 'Gioia Taura' falë operacioneve të analizës së riskut të kontejnerëve që mbërrijnë nga Amerika Latine.
Grupet kriminale shqiptare e ato serbo-malazeze, sipas Antidrogës italiane, realizojnë transportin e kokainës përmes portit 'Gioia Taura' në portet ballkanike e në ato të Detit Egje e Detit të Zi.
Italia shfaqet si një portë hyrëse e kalimit të kokainës dhe grupet kriminale shqiptare e ballkanike në përgjithësi kanë konsoliduar raportet me kartelat vendase si dhe kanë lidhje të drejtpërdrejta me prodhuesit kolumbianë.
Trafiku i heroinës gjatë vitit 2021 ka regjistruar një rritje mjaft të lehtë e janë sekeustruar rreth 567 kg. Është regjistruar një reduktim në trafikun rrugësor të heroinës përmes rrugës ballkanike e është dokumentuar një shtim i tij nga Afganistani drejt kontinentit europian. Mendohet se pas largimit të forcave amerikane nga Afganistani, talibanët kanë marrë në kontrollin prodhimin e opiumit që në këtë vend prodhohet rreth 80% i prodhimit botëror.
Marijuana e hashashi konsiderohet droga më e sekuestruar në Itali. Gjithsej më 2021 janë kapur 67.7 ton, 46.8 ton prej të cilave marijuanë e 20.8 ton hashash.
Krejt e kundër shfaqet panorama e këtij trafiku nga Shqipëria drejt Italisë. Viti 2021 ka shënuar një reduktim të madh të marijuanës e hashashit që mbërrinte nga Shqipëria e që për të cilën ekspertët italianë e lidhin me bashkëpunimin e mirë mes autoriteteve policore të dy vendeve, operacioneve të mbikqyrjes nga ajri të Guardia di Finanza Italiane e rrugëve të reja të prodhimit të kësaj droge si kanë dokumentuar operacionet e sekuestrimit me një rritje me +498% të marijuanës së sekuestruar në rajonin e Sardenjas e me +150.6% të bimëve të shkatërruar e të gjetura në këtë territor.
Në një prononcim ekskluziv për gazetaren RTV Ora e Ora News në Romë, Alba Kepi, Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë Qëndrore të Antidrogës Italiane, Gjeneral Antonino Maggiore shprehet:
"Prej disa vitesh të dhënat për sekuestrimet e marijuanës përmes rrugës detare nga Shqipëria drejt Italisë janë reduktuar. Edhe në raportin e vitit 2021 konfirmohet kjo tendencë që mendohet se është si konseguencë e operacioneve të bashkëpunimit me Guardia di Finanza italiane për të identifikuar e sinjalizuar plantacionet e mbjellura me kanabis në territorin shqiptar dhe në zonat më të vështira e të fshehura.Gjatë vitit 2021 nga operacionet e fluturimeve të Guardia di Finanzës Italiane janë identifikuar 98 mijë bimë kanabis të mbjella në Shqipëri. Një e dhënë në rritje, e 30 mijë rrënjë më shumë, në krahasim me vitin 2020 ku këto operacione kanë identifikuar treth 60 mijë bimë kanabis të mbjella në plantacionet e marijuanës në Shqipëri e një e dhënë në rritje në krahasim me një vit më parë. Gjatë viteve të fundit shqiptarët kanë një prani në rritje në vendet e prodhimit të kokainës në Amerikës Latine, me aftësinë kriminale si në fazën e ndërmjetësimit dhe në atë financiare e trafikimit të saj drejt Europës."
Mbi rolin e rrezikshmërinë e mafias shqiptare në Kolumbi, për RTV Ora e Ora News, koordinatori i Antidrogës italiane, kolonel Sergio De Sanno tha:
"Mafia shqiptare në Kolumbi është gjithmonë e më në zhvillim. Prej vitesh të dhënat e hetimeve tona të kryera dëshmojnë praninë e kësaj mafie në këtë shtet e siç thashë e zhvilluar shumë, dhe me aftësinë për të investuar në të gjithë zinxhirin e këtij trafiku që nga furnizimi pranë vendeve të prodhimit e deri tek shitja e saj. Prania e kësaj mafie dokumentohet dhe në vendet pranë Kolumbisë si Ekuadori që konsiderohet hub i magazinimit të kokainës që trafikohet më pas në Amerikë e Europë. Të dhënat tona vërtetojnë një prani të fortë të mafias shqiptare në Ekuador siç e vërteton dhe vrasja e bujshme pak kohë më parë e një mafiozi shqiptar në një restorant në Guayaqui. Kjo vrasje dëshmon se sa në nivel të lartë e i rëndësishëm është roli i mafias shqiptare në këto vende."
Mbi bashkëpunimin gjithnjë e në rritje mes autoriteteve policore shqiptare dhe ato italiane, Nëndrejtori i Përgjithshëm i Sigurisë Publike, njëherësh Drejtor i Policisë Kriminale Prefekt Vittorio Rizzi u shpreh se:
"Kemi një raport bashkëpunimi mjaft të mirë që na ka çuar në kryerjen e shumë aksioneve të sukseshme e të një fushate mbikqyrje nga ajri po të suksesshme në identifikimin e plantacioneve me marijuanë. Po punojmë me një impenjim të përbashkët për të luftuar mafiet , pra dhe mafien shqiptare. Ky sezon pune po jep frute të jashtëzakonshme. Operacionet e fluturimeve ajore për të identifikuar plantacionet me marijuanë në Shqipëri janë në vazhdim e sipër dhe për këtë vit e personalisht vetëm gjatë 2022 kam kryer deri tani tre udhëtime pune në Shqipëri, për kryer një punë sa më të frytshme."
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.