Të gjithë kundër PD-së!

Edhe pse e kapluar prej muajsh me vetveten dhe e gjendur nën presionin e “revolucionit” të imponuar nga Sali Berisha dhe pasuesit e tij, Partia Demokratike, pasi riparoi dyert e shkatërruara dhe xhamat e thyera nga përplasja e 8 janarit, do të duhet të përballet me sfidën e zgjedhjeve të parakohëshme në gjashtë bashki të vendit, të shpallura disa ditë më parë nga Presidenti i Republikës dhe që do të zhvillohen më 6 mars.

Edhe në kushte normale koha për t’u përgatitur për këto zgjedhje është e pamjaftueshme, jo më po të kemi parasysh gjendjen në të cilën ndodhet aktualisht Partia Demokratike.

Sado që Kryetari i saj Lulzim Basha, ndërsa shpallte vendimin e tij më 9 shtator të vitit të kaluar për pezullimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, u rrek të argumentonte se po e bënte atë akt duke marrë vetë të gjitha përgjegjësitë që të shmangte Partinë Demokratike nga përfshirja në hallin personal të ish kryetarit të shpallur person “non grata” nga Sekretari Amerikan i Shtetit, prapëseprapë, nuk ia doli dot që ta linte Berishën në hallin e vet.

Jo vetëm kaq, por Berisha pasi inicoi “Foltoren” e nisi një mori takimesh në të gjithë vendin, shpalli kredon e vet për të rimarrë partinë, duke mos hezituar të shpallë edhe synimin që të ribëhet serish kryeministër.

Dhe ish kryetari, ia doli të mbledhë mbështetësit e tij e me ta të organizojë kuvendin kombëtar e madje edhe referendumin për shkarkimin e kryetarit, duke çuar praktikisht në krijimin e një strukture paralele të cilën ata e quajnë “Partia Demokratike”.

Kundërvënia nuk mbeti vetëm verbale.

Akti i parë i përplasjes u shfaq me 8 janar kur revolucionarët shkuan të merrnin selinë e PD-së.

Dështimi nuk i zmbrapsi, anipse u tërhoqën të zhgënjyer pa hyrë dot në shtëpinë e tyre të lirisë.

Por siç e kanë në traditën e tyre, revolucionarët nuk tërhiqen.

Berisha u është rikthyer takimeve me bazën, përkundër Bashës që po bën të njëjtën gjë, pra takime me bazën e partisë.

Në këtë valë zhvillimesh, Presidenti i Republikës dekreton zgjedhjet e parakohshme në gjashtë bashki të vendit, që për rastësi do të zhvillohen me datën 6 mars.

Shumëkush prej analistëve politikë e quajti shpalljen e zgjedhjeve për gjashtë bashkitë e mbetura pa kryetarë, si një grackë kundër PD-së dhe më drejtpërdrejtë kundër Lulzim Bashës, i cili e ka përfshirë edhe vetë Presidentin në atë që ai e ka quajtur “Trekëndëshi i të Keqes”, nënkuptuar përmes artikulimit të “Trekëndëshit të Bermudës”.

Zgjedhjet ndërkaq, e çuan përplasjen mes palëve në PD edhe tek Komisioneri i Zgjedhjeve, i cili nuk e pranoi përfaqësuesin e revolucionarëve të Berishës, duke njohur në fakt atë që është, Partinë Demokratike.

Përfaqësuesit e Berishës menjëherë nxituan të deklarojnë se do të synojnë krijimin e koalicionit të tyre, për të marrë pjesë në zgjedhje me kandidatët e tyre ç’ka në fakt parathotë më shumë se sa me kandidatët e Partisë Socialiste, një garë ma kandidatët e Partisë Demokratike të Lulzim Bashës, e cila me sa duket në zgjedhjet e 6 marsit për gjashtë bashkitë e mbetura pa kryetarë, do t’i ketë kundër të gjithë!

EMISIONET