Edhe gjobat, online! Instektorja e qarkullimit rrugor: "Do lajmëroheni në kohë rekord"
Me nisjen e sezonit të ri shkollor, trafiku rrugor është shtuar, dhe dixhitalizimi i shumë pajisjeve në policinë e shtetit ka çuar në një hap tjetër për vendosjet e masave administrative për shkelje të ndryshme të kodit rrugor.
Anxhelina Bregu, inspektore e policisë rrugore, e ftuar në një intervistë në studion e lajmeve në “Ora News”, ka informuar më tepër qytetarët për këtë risi.
Tashmë, qytetarët, do t'i thonë lamtumirë fletëve të gjobave të ngjitura në xhamin e makinës kur shoferi nuk është prezent, pasi çdo drejtues mjeti do ta marre njoftimin nëpërmjet portalit e-albania, në kohë rekord, nëse ndëshkohet nga policia.
Ky shërbim elektronik, gjithashtu u jep mundësinë qytetarëve dhe bizneseve të kontrollojnë nëse kanë kundërvajtje rrugore të papaguara për automjetet në pronësi.
E pyetur se cilat janë format e tjera që qytetarët mund të informohen për gjobat e marra, inspektorja e policisë ka thënë: "Në momentin që një qytetar kryen një kundravajtje rrugore, ai do të informohet me një mesazh ne numrin e telefonit dhe në adresën e e-mailit, brenda pak çastesh".


