E rëndë në Elbasan, bëri abort dhe u largua në shtëpi, ndërron jetë 34-vjeçarja, procedohen mjekët
Një 34-vjeçare, nënë e dy fëmijëve, ndërroi jetë disa orë pas abortit në maternitetin e Elbasanit. Për ngjarjen e rëndë, autoritetet kanë nisur hetimin ndaj dy mjekëve për zbardhjen e ngjarjes së rëndë.
Dy mjekë të spitalit të Elbasanit janë vënë nën hetim nga organet e drejtësisë, në lidhje me një ngjarje të rëndë të ndodhur ditën e hënë në maternitetin e qytetit.
34-vjeçarja, Etleva Çullhaj, humbi jetën në spital pak orë pasi kishte abortuar. Çullhaj u paraqit në ambientet e Maternitetit të Elbasanit rreth mesditës të së hënës, ku ka kryer një abort dhe më pas është larguar në shtëpi.
Rreth orës 18:00 të po asaj dite, për shkak të komplikimeve të gjendjes shëndetësore, 34-vjeçarja ka njoftuar shërbimet e ambulancës, të cilat e kanë transportuar atë sërish në maternitet, ku ka humbur jetën, thuhet në njoftimin zyrtar të Drejtorisë së Policisë së Elbasanit.
Burime për Ora News, bëjnë me dije se 34-vjeçarja, banore në lagjen “5 Maji” të Elbasanit, la pas dy fëmijë.
Në lidhje me ngjarjen, pretendimet e Maternitetit janë që pacientja është paraqitur me shtatzëni të dëmtuar dhe se fëmija ka qenë i pajetë, ndaj është bërë dhe procedura e abortit.
Sipas tyre, ata i kanë kërkuar Etleva Çullhajt të qëndrojë në spital pas ndërhyrjes, por ajo ka kërkuar të largohej dhe eshte lejuar të shkojë në shtëpi.
Paraprakisht ekspertiza ka nxjerrë si rezultat që vdekja e 34-vjeçares është shkaktuar si pasojë e tromboembolit, mpiksje gjaku.
Mjekët, Arben Paralloi dhe Behar Gjevori janë shoqëruar në polici por janë lënë të lirë pas ekspertizës.
Për ta ka nisur procedimi për veprën penale “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”, ndërkohë që vijon puna nën drejtimin e Prokurorisë për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje të rëndë.
Nëna e dy fëmijëve prej kohësh punonte në Elbasan ku merrte lokale të vogla me qira. Trupi i viktimës është dërguar në shtëpinë e prindërve të saj në Baldushk të Tiranës, nga ku edhe do të përcillet në banesën e fundit.