E raportoi si vetëvrasje, 50-vjeçarja në Fier u vra nga burri me thikën e bukës

Valdete Mamaj, rreth 50 vjeçe u vra me thikën e bukës nga bashkëshorti i saj Petrit Mamaj i cili tentoi ta fshehë krimin duke e paraqitur si vetëvrasje.

Ngjarja ndodhi në banesën e familjes në lagjen “Sheq i Madh” në Fier në orët e mëngjesit të së martës, 8 shkurt.

56 vjeçari pas krimit kishte lajmëruar vëllanë e tij polic i cili kishte vënë në lëvizje strukturat e hetimit.

Në dëshminë e parë Petrit Mamaj e kishte orientuar hetimin drejt vetëvrasjes, çka u konfirmua edhe në njoftimin paraprak të policisë së Fierit për ngjarjen.

Por ishin plagët në trupin e 50 vjeçares që e tradhtuan.

Valdete Mamaj, kishte ndërruar jetë nga një goditje thike në kraharor, ndërsa në trup sipas burimeve kishte edhe disa shenja të tjera të shkaktuara po me thikë.

Këto shenja kanë ngjallur dyshime se gruaja nuk mund ta kishte kryer vetë aktin.

Ekspertiza mjekoligjore, vërtetoi krimin dhe Petrit Mamaj përballë provave u detyrua të pranonte vrasjen e bashkëshortes.

Në dëshminë e parë, mësohet të ketë deklaruar se krimin e kreu për xhelozi ndaj e qëlloi me thikën e bukës.

Burimet thonë se çifti kishte prej kohësh probleme, ndërsa autori dyshohet se ishte në gjendje të dehur.

Ata ishin prindër të dy fëmijëve që jetojnë në Gjermani, ndërsa mësohet se djali ishte larguar vetëm një ditë para krimit.

Pas dokumentimit të ngjarjes Petrit Mamaj u vu në pranga dhe ndaj tij u ngrit akuza “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”

Valdete Mamaj u bë kështu gruaja e tretë që vritet në vetëm dy muajt e parë të vitit 2022.

E raportoi si vetëvrasje, 50-vjeçarja në Fier u vra nga burri

EMISIONET