DYSHOHET SE VR*U “SHOKU”/ Gjurmë gj*ku në zyrë e makinë, kamerat kapën rrëmbyesin e Eglant Koçit
Gjurmët e gjakut të gjetura në zyrën dhe makinën e Armand Shakajt kanë forcuar dyshimet se Eglant Koçi mund të jetë vrarë. Policia po kërkon Shakajn, ndërsa kamerat e sigurisë dhe gjurmimi i telefonit e lidhin atë me zonat ku dyshohet se mund të jetë fshehur trupi i 34-vjeçarit.
Gjurmët e gjakut të gjetura në zyrën dhe automjetin e Armand Shakajt, personit të shpallur në kërkim për zhdukjen e Eglant Koçit, kanë forcuar dyshimet e hetuesve se 34-vjeçari mund të jetë vrarë. Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se çështja është regjistruar për veprën penale të vrasjes, ndërsa ekspertët po analizojnë provat e sekuestruara për të hedhur më shumë dritë mbi ngjarjen.
Ndërkohë, Gjykata Penale e Tiranës la në fuqi masën “arrest me burg” për Enea Zyferin, kamarier në lokalin në pronësi të Shakajt, i dyshuar si bashkëpunëtor në këtë ngjarje. Gjatë dëshmisë së tij, ai ka deklaruar se pronari i kishte kërkuar të fikte dritat e lokalit dhe se nuk kishte dijeni për çfarë kishte ndodhur më pas.
Në mungesë të trupit të Eglant Koçit, hetuesit po mbështeten kryesisht te pamjet e kamerave të sigurisë, të cilat sipas burimeve konsiderohen prova kyçe kundër Armand Shakajt, i njohur edhe me nofkën “Mand Dhelpra”. Në një prej pamjeve ai dyshohet se shfaqet duke transportuar një objekt që ngjan me një qese të zezë drejt automjetit të tij, tashmë në ekspertizë.
Të dhënat e siguruara nga gjurmimi i qelizave telefonike tregojnë se lëvizjet e Shakajt janë shtrirë nga zona e Dajtit drejt aksit që lidh Dibrën me Librazhdin. Policia ka kryer kontrolle në këto zona, ku dyshohet se mund të jetë fshehur trupi i 34-vjeçarit, por deri tani pa asnjë rezultat konkret.

