Masakroi me thika 20-vjeçarin, vetëdorëzohet në polici autori i dyshuar 18-vjeçar
Vetëdorëzohet në polici 18-vjeçari Aksel Hoxhaj, i dyshuar si autori i vrasjes së Stiven Toshkesi në Tiranë, mëngjesin e së hënës. Më herët për krimin u vu në pranga shoku i tij Enzi Maze, i cili zbuloi se konflikti kishte nisur për një vajzë.
Aksel Hoxhaj, 18-vjeçari i përfshirë në masakrimin me thika të Stiven Toshkesit, në orët e para të mëngjesit të së hënës, bashkë me bashkëmoshatarin Enzi Maze, i dha fund arratisë pas krimit.
I riu u vetëdorëzua këtë të enjte në Policinë e Tiranës për tu përballur me përgjegjesinë ligjore për sulmin me pasojë vdekje pranë shkollës "Partizani".
Ishin negociatat e policisë me familjarët, që bindën të riun të dorëzohet.
Aksel Hoxhaj dhe Enzi Maze, ky i fundit i arrestuar disa orë pas ngjarjes, sulmuan me thika 20-vjeçarin Toshkesi, i cili humbi jetën në Spital si pasojë e plagëve të rënda që mori.
Kamerat e sigurinë në zonë fiksuan krimin e dy të rinjve.
Pamjet treguan se Aksel Hoxhaj, dhe Enzi Maze shkëmbyen disa fjalë me Stiven Toshkesin para se ta godisnin me thika.
Shkak i këtij konflikti, siç tregoi në Polici Maze, ishte një vajzë të cilën e kishtë në klasë Aksel Hoxhaj dhe që së fundmi shoqërohej me Stivenin.
Të dy të rinjtë pritet të dalin në vijim para gjykatës së Tiranës për tu njohur me akuzat për vrasjen e 20-vjeçarit.