Dr*ga nga Amerika Latine, mediat italiane zbulojnë DETAJE nga operacioni ku u godit mafia shqiptare
Detaje të reja janë zbuluar nga operacioni antidrogë ku u lëshuan disa masa sigurie në një aksion të përbashkët mes prokurorisë së Brescia dhe SPAK.
Sipas mediave italiane, policia e Brescias zbuloi një rrjet droge të përqendruar në provincë.
Raportimet në Itali
Një operacion i gjerë ndërkombëtar antidrogë është zhvilluar që në agim mes Italisë, Shqipërisë, Francës dhe Anglisë. Mbi 150 efektivë të Guardias di Finanza të Komandës Provinciale të Breshias dhe të S.C.I.C.O.-s, me mbështetjen e Europol-it, Eurojust-it dhe forcave të huaja të policisë, po ekzekutojnë 24 masa sigurie dhe sekuestrime me vlerë rreth 3 milionë euro. Të hetuarit akuzohen se janë pjesë e një organizate kriminale të specializuar në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve.
Hetimi, i koordinuar nga Prokuroria Antimafia e Breshias, është rezultat i një pune pesëvjeçare, nga viti 2020 deri në vitin 2025, e zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet shqiptare dhe zvicerane në kuadër të një Grupi të Përbashkët Hetimor. Hetimet janë bazuar në teknika të sofistikuara: deshifrimin e bisedave të koduara, përgjime telefonike dhe elektronike, ndjekje dhe monitorime në terren.
Sipas hetuesve, grupi – me bazë operative në Shqipëri dhe me degë në Itali – importonte kokainë nga Amerika e Jugut duke shfrytëzuar rrugët tregtare të destinuara për portet e mëdha të Evropës Veriore. Më pas, droga transportohej drejt Italisë me kamionë, e fshehur brenda mjeteve të rënda. Flitet për mbi 1.300 kilogramë kokainë të lëvizur, e cila shpërndahej në gjashtë baza logjistike në territorin italian, të cilat shërbenin si qendra magazinimi dhe shpërndarjeje.
Nga këto struktura administrohej jo vetëm droga, por edhe qarkullimi i parave. Paratë e përfituara nga shitjet ktheheshin te drejtuesit e organizatës përmes “korrierëve të parave”, shoferë autobusësh të linjave Itali–Shqipëri që transportonin sasi të mëdha parash në mënyrë të fshehtë.
Gjatë hetimeve, autoritetet kanë arrestuar në flagrancë 10 anëtarë të grupit dhe kanë sekuestruar 550 mijë euro në para të gatshme, 10 automjete, një pistoletë dhe 130 kilogramë drogë – kokainë dhe heroinë – që në treg do të kishin gjeneruar rreth 12 milionë euro. Janë duke u kryer mbi 35 kontrolle në gjithë Italinë, të mbështetura nga njësitë me qen antidrogë dhe “cash dog”, pajisjet teknologjike të S.C.I.C.O.-s dhe trupat e specializuara ATPI, të dedikuara për operacione me rrezik të lartë.

