Rama në "Flasim": Shqipëria nënshkruan marrëveshje me ‘Eni’ për rezervën kombëtare të naftës dhe gazit
Kryeministri Edi Rama prezantoi në podkastin “Flasim” një marrëveshje të re me kompaninë italiane “Eni”, që synon forcimin e sigurisë energjetike të vendit përmes krijimit të kapaciteteve të rezervës kombëtare të furnizimit dhe magazinimit të naftës dhe gazit.
Marrëveshja vjen në një kontekst të paqëndrueshmërisë globale të energjisë, ku krizat e viteve të fundit kanë ndikuar drejtpërdrejt në tregjet dhe furnizimin me hidrokarbure.
Sipas planit të paraqitur, bashkëpunimi me “Eni” synon garantimin afatgjatë të rezervave strategjike të vendit dhe krijimin e një operatori të ri në tregun energjetik, i cili do të mbështetet në ekspertizën dhe përvojën e kompanisë italiane.
Ky operator pritet të ketë rol si në tregun e brendshëm, ashtu edhe në atë rajonal, duke rritur kapacitetet tregtare dhe menaxhuese në sektorin e energjisë.
Partneriteti shihet si një investim afatgjatë, që përveç sigurisë në furnizim, synon edhe transferim të njohurive dhe ekspertizës në një sektor të konsideruar kritik për ekonominë.
FJALA E PLOTË E KRYEMINISTRIT:
Këtë javë hodhëm edhe një hap tjetër të paralajmëruar për të rritur sigurinë energjetike, duke nënshkruar memorandumin me kompaninë italiane "Eni", një gjigant global, për të krijuar kapacitetin e rezervës kombëtare të furnizimit dhe magazinimit të produkteve të naftës dhe të gazit, në një kohë kur krizat globale të viteve të fundit janë rikthyer më shumë sesa një herë, duke na prekur, ndër të tjera, edhe atë nervin vital të ekonomisë që ka të bëjë pikërisht me energjinë; që ka të bëjë pikërisht me hidrokarburet.
Ndërmarrja e këtij partneriteti me "Eni"-n synon që, përfundimisht, çështja e rezervës strategjike të jetë një çështje e garantuar, por ne shkojmë edhe më tej, me synimin që të krijojmë një operator të ri, një aktor të ri në treg, të ndërtuar mbi ekspertizën dhe përvojën e një prej kompanive më të rëndësishme në botë në sektorin e energjisë dhe të hidrokarbureve, që të krijojë kapacitet tregtar në sistemin e brendshëm dhe atë rajonal.
Ky partneritet nuk është thjesht një marrëveshje mes qeverisë dhe një kompanie ndërkombëtare, por është një investim afatgjatë. Një investim afatgjatë që do të sjellë shumë më tepër siguri, por do të sjellë edhe dituri dhe ekspertizë të domosdoshme në një kohë kur sfidat bëhen gjithmonë e më komplekse dhe, nga ana tjetër, domosdoshmëria për të pasur partnerët dhe aleatët e duhur bëhet gjithmonë e më jetike.


