Turisti theu këmbën në Kanionin e Gjipesë, policia shpëton çiftin e huaj nga zona ku ishin bllokuar

Një çift turistësh është shpëtuar këtë të diel në Kanionin e Gjipesë, pasi mbeti i bllokuar gjatë një shtegtimi në zonë, kur njëri prej tyre pësoi thyerje të këmbës dhe nuk mundi të vijonte lëvizjen.
Sipas njoftimit të autoriteteve vendore, menjëherë pas sinjalizimit për ngjarjen, në terren u nisën zjarrfikësit e Himarës, efektivë të Policisë së Himarës dhe Postës së Dhërmiut, si dhe ekipi i Urgjencës Mjekësore të Spitalit të Himarës.
Pas ndërhyrjes së koordinuar të ekipeve të shpëtimit, turistët u nxorën nga kanioni në kushte të sigurta. Turisti i lënduar u transportua më pas në spital për trajtim mjekësor.
Kanioni i Gjipesë konsiderohet një zonë me terren të vështirë dhe të rrezikshëm, ku nuk janë të rralla rastet e aksidenteve me turistë.
Autoritetet lokale u bëjnë thirrje vizitorëve të shmangin zonat e pashenjuara dhe të përdorin guida të licencuara për të reduktuar rrezikun e incidenteve.

