“DOBRAÇI”/ Kamerat e bashkisë kanë filmuar “Range”-in. Shoferit me bluzë të bardhë s’i duket fytyra, kishte ulur mbrojtëset e diellit

Disa kamera sigurie që monitorojnë kryqëzimet kryesorë në qytetin e Shkodrës, kanë fiksuar makinën tip “Range-Rover” që u përdor nga autorët, në ngjarjen e 30 Tetorit 2024, që tashmë njihet si masakra e Shkodrës, pasi vdiqën Hamza Lici, Arlind Bushati dhe çifti i bashkëshortëve, Flutura dhe Bashkim Basha.

Mjeti i vjedhur në Durrës dhe më pas çuar me urgjencë në Shkodër, është flmuar ditën e ngjarjes, pikërisht në zonën e rreth-rrotullimit që ndan dy zonat, atë të “Kirasit” dhe “Dobraçit”.

Gazetari i “Ora News”, Elton Qyno, ka mësuar se policia dhe prokuroria e Shkodrës, ka sekuestruar këto pamje filmike, në të cilat duket qartë se makina “Range-Rover” shfaqet në rrugë, përpara mjetit tip “Benz” me targa kroate, ku udhëtonin Hamza Lici, Arlind Bushati dhe një person i tretë ende i paidentifikuar.

Ndërkohë në momentin e goditjes me dy armë kallashnikokv, mjeti i autorëve të krimit është pozicionuar në pjesën e pasme të makinës “Range-Rover”, ku qëndronin vrasësit.

Burimet pranë policisë së Shkodrës, i thanë gazetarit Qyno se nga kqyrja e pamjeve filmike në timonin e makinës së përdorur në këtë ngjarje rëndë, është një person që mban të veshur një bluzë të bardhë.

Por për fat të keq nuk dallohet qartë në pjesën e fytyrës për shkak se në dy anët e mjetit ishin ulur mbrojtëse e diellit që ndodhen në pjesën e sipërme të xhamit të parë të makinës.

Këto mbrojtëse kanë ndikuar, duke i mbuluar fytyrën shoferit të “Range-Roverit”, ç’ka ka sjellë në mos identifikimin e tij deri në këto momente.

Ndërkohë nga kqyrja e automjetit tip “Benz”, me targa kroate ku mbetën të vrarë dy personat Hamza Lici dhe Arlind Bushati, janë gjendur tre armë zjarri pistoleta, tre aparate telefoni, disa dokumenta dhe disa gëzhoja pistolete brenda në makinë.

Kjo e dhënë sipas policisë, tregon se dhe nga makina tip “Benz” ku u vranë dy të rinjtë ka pasur të shtëna me armë, duke ju kundërvënë agresorëve.

Njeriu që besohet shumë se ka qëlluar me armë, sipas policisë deri në këtë fazë është Arlind Bushati, i cili qëndronte në sediljen e parë të pasagjerit, ndërsa në timon ndodhej Hamza Lici.

Ende nuk dihet se kush ishin atentatorët, ndërsa deri më tani është gjetur mjeti që u përdor në atentat, i djegur në fshatin Golem të Shkodrës.

Ndërkohë dëshmitarët në vendin e ngjarjes kanë treguar se ambulanca ka mbërritur gati 40 minuta me vonesë në vendngjarje, kohë kjo që ka sjellë dëme të parikuperueshme për Arlind Bushatin, i cili mund të kishte shpëtuar nëse do kishte marrë në kohën e duhur ndihmën e shpejtë.

Arlind Bushati, kishte vetëm një plumb në pjesën e kokës. Ndërsa Hamza Lici, një plumb ka marrë ne zemër dhe një tjetër në pjesë e dorës.

EMISIONET