Diskriminimi i nxënësve romë e egjiptianë në GJEDNJ, shteti do tu paguajë 22 500 € familjeve të prekura

Qeveria shqiptare ekzekuton vendimin e Gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut, ku duhet të paguajë 22 500 euro.
Kërkuesit e kësaj çështje ishin 18 shtetas shqiptarë me etni rome dhe egjiptiane që së bashku përbëjnë gjashtë familje.
Kërkuesit pretendojnë se nxënësit romë ose egjiptianë përbëjnë 89-100% të nxënësve në shkollën fillore “Naim Frashëri”, të cilën e ndjekin fëmijët e tyre – në një vit mesatar, përkundër faktit se janë pakicë në qytet.
Vendimi:
1. Ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 31.5.2022, për çështjen “X dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, për kërkesat nr.73548/17 dhe nr.45521/19, përfundimtar në datën 31.8.2022, në shumën 22 500 (njëzet e dy mijë e pesëqind) euro në lidhje me dëmin jopasuror, plus çdo taksë që mund të jetë e aplikueshme.
2. Vlera e përcaktuar si detyrim në pikën 1, të këtij vendimi, të konvertohet në lekë, në bazë të kursit të këmbimit të bankës ku depozitohet shuma, në datën e kryerjes së pagesës.
3. Vlera e përcaktuar si detyrim në pikën 1, të këtij vendimi, të depozitohet në një nga bankat e nivelit të dytë, në vlerën që shteti shqiptar detyrohet, sipas vendimit përfundimtar të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 31.5.2022, për çështjen “X dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, për kërkesat nr.73548/17 dhe nr.45521/19, në emër të kërkuesve, sipas listës që i bashkëlidhet vendimit të kësaj gjykate.
4. Pagimi i shumës së depozituar, sipas përcaktimeve në pikën 3, të këtij vendimi, në favor të kërkuesve, të bëhet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, pas paraqitjes së dokumentacionit të nevojshëm ligjor për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit, brenda afatit 3-mujor nga dita kur vendimi i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut është bërë përfundimtar.
5. Në rast mospagimi brenda afatit 3-mujor, të përmendur në pikën 4, të këtij vendimi, mbi shumën e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, paguhen interesa të thjeshta të barabarta me kursin margjinal të huas së Bankës Qendrore Evropiane, gjatë periudhës së mospagimit, plus 3%.
6. Efekti financiar, i përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, për vitin 2022.
7. Ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

