Detaji i ri nga atentati në Fushë Krujë/ Pasi qëlluan me automatik njëri prej atentatorëve i vuri flakën makinës
Ora News sjell detaje të reja mbi atentatin e ndodhur rreth orës 14:30 në aksin rrugor Fushë Krujë-Thumanë, te mbikalimi i Fushë Krujës. Pasi kanë qëlluar me automatik drejt automjetit tip "Volsëagen Passat” njëri prej atentatorëve ka hedhur dhe lëndë djegëse në pjesën e kofanos të makinës duke shkaktuar dhe flakët.
Në këtë konkluzion është arritur pasi është gjetur lëndë djegëse brenda makinës por dhe në asfalt, raporton gazetari i Ora News, Edison Vatnikaj.
Deri tani është arritur të identifikohet vetëm njëri prej viktimave Diklen Vata, 30 vjeç, nga Fushë Mamurrasi, i cili ka qenë pasagjer por ka mundur të dalë nga automjeti, dhe ka humbur jetën sapo ka dalë prej tij.
Ndërkohë që dy trupat e tjerë janë shkrumbuar dhe është i vështirë identifikimi i tyre.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe forca të shumta Policie.
Nga krehja e zonës, në Larushkë, është gjetur duke u djegur një automjet tip "Volsëagen Passat" që dyshohet se është i autorëve. Në brendësi të automjetit eshte konstatuar një armë zjarri automatike që dyshohet se është përdorur nga autori/ët për të kryer krimin.
Në ndihmë të Policisë vendore kanë shkuar grupe të FNSh Tiranë dhe janë ngritur pika kontrolli nga DVP Tiranë e Lezhë.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, po punon për identifikimin e dy shtetasve të djegur në automjet dhe për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, sekuestrimin e cdo prove të vlefshme që do ti shërbejë zbardhjes së ngjarjes dhe identifikimit të autorëve.