DEBATET/ I dënuar me burgim të përjetshëm, mbahet seanca në Apelin e GJKKO-së, avokati i Laert Haxhiut kërkon riçeljen e shqyrtimit: SPAK s'ka bërë veprime hetimore

Ka nisur seanca në Apelin e Posaçëm për Laert Haxhiun, i dënuar me burgim të përjetshëm për “Masakrën e Lushnjes”.

Haxhiu ka apeluar vendimin e shkallës së parë që vendosi burg përjetë në mungesë për 32 vjeçarin, i akuzuar për vrasjen e Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës si dhe për plagosjen e Marjus Xhepexhiu dhe të Bujar Turkut.

Të pranishëm në sallë është prokuroret Altin Dumani dhe Doloreza Musabelli. Gjithashtu gjyqi ndiqet dhe nga babai i Haxhiut.

Haxhiu është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Posaçme në muajin prill të këtij viti, për atë që është cilësuar si “Masakra e Lushnjes”, ngjarje e shënuar në vititn 2017, ku dy persona mbetën të vrarë dhe dy të tjerë të plagosur.

Dënimi ndaj tij u dha për kryerjen e një sërë veprash penale si “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike”. 

Avokati i Haxhiut, Detar Hysi, kërkon riçeljen e shqyrtimit gjyqësor, pasi SPAK nuk ka bërë veprime hetimore.

DEBATET NE SEANCE

Detar Hysi: Prokuroria nuk ka kryer asnjë veprim hetimor. Kjo vlen edhe për prokuroren e posaçme, që ka kryer 0 veprim hetimor, në akuzën qe vlerësohet në këtë proces. Ka kryer vetëm 3 veprime procedurale jo të karakterit hetimor. E kërkova fjalën për të orientuar gjykatën, përpara se të veprojë mbi kërkesën tonë. Është rasti i parë në historikun e kësaj godine, që ngrihet akuzë pa bërë veprim hetimor.  Kërkoj caktimin e një eksperti të fushës përkatëse. Të ekspertojë pamjet filmike të karburantit, të përcaktojë nëse është Laert Haxhiu në automjet ose jo. Të bëhet një akt ekspertimi nga një ekspert me qëllim zbardhjen e të vërtetës. Qëllimi i bërjes së aktit të ekspertimit është zbulimi i të vërtetës, nëse personat që shfaqen në pamjet filmike të karburantit janë Laert Haxhiu dhe Bilbili.

Laert Haxhiu: Po dënohem me pa të drejtë dhe pa fakte. Jam dakord me kërkesën e avokatit.

Doloreza Musabelli: Mendojmë që është një kërkesë e pabazuar në ligj. Për përsëritjen e shqyrtimit gjyqësor, kërkojmë qe gjykata të mos pranojë këtë kërkesë. Kjo kërkesë është bërë nga avokati edhe në shkallë të parë. Nuk ka vend për ri-ekspertim për pamjet filmike. Gjatë procesit gjyqësor janë pyetur dëshmitarë lidhur me pamjet filmike që janë pasqyruar në proces. Pamjet filmike kanë shumë elemente që nuk janë në foto. Kërkesa të rrezohet për përsëritje të shqyrtimit gjyqësor.

Altin Dumani: Këto pamje nuk janë një provë e vetme. Palët, prokuroria dhe avokati nën drejtimin e gjykatës kanë pasur mundësinë të dëgjojnë edhe dëshmitarët. Nuk është e vërtetë që gjatë shqyrtimit gjyqësor në Shkallë të Parë nuk janë pranuar provat e kërkuara nga mbrojtja.

Trupa gjykuese i tërheq vëmendjen babait të Laert Haxhiut: Mos bëni gjestikulacione.

Babai i Laertit: Unë jam ai që e vuaj këtë zoti gjyqtar.

Florjan Kalaja: Mos më detyroni ta ndërpres seancën për këtë qëllim.

Vijon Altin Dumani: Gjykata ka pranuar kërkesën e avokatit të të pandehurit për t’u pyetur disa dëshmitarë, por edhe prova të tjera shkencore dhe shkresore. Edhe trashëgimtarët e viktimave kanë të drejtë të dorëzojnë prova. Prova është marrë të pika e karburantit. Më shqetësoi një fjali e përdorur nga ana e mbrojtjes kur thotë prova ekstra ligjore për devijimin e së vërtetës… ne nuk përdorim prova ekstra-ligjore. Le të na e thotë zotëria.

Flet Laert Haxhiu pasi largohet gjykata: Pse nuk e bëjnë ekspertizën? Doloreza nuk duhet të jetë fare ne gjyqin tim.

Babai i Laertit: Ku është e shkruar që duhet të marrin pjesë dy prokurorë në të njëjtën çështje? Për t’i bërë presion gjykatës?

EMISIONET