Certifikatë vlerësimi për John Vogel/ Vengu: Nderim ushtarakëve që forcojnë dhe i japin kuptim partneritetit strategjik me SHBA
Forcat e Ushtrisë Amerikane nderuan me një certifikatë vlerësimi John Vogel, Atasheu Ushtarak i Ambasadës Amerikane në Shqipëri.
Në ceremoninë e organizuar në bazën ajrore të Farkës me rastin e largimit nga Shqipëria të kryekapterit Vogel, morën pjesë ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, e Ngarkuara me Punë e Ambasadës së SHBA-së, Nancy VanHorn dhe gjeneral lejtnant Arben Kingji.
“Shpeshherë puna e kryer pas kuintave, me dedikim të përditshëm, merr shumë pak vëmendje ose lëvdata. Ndaj, në Bazën Ajrore të Farkës, së bashku më të ngarkuarën me punë të SHBA-ve, Nancy Van Horn, morëm kohën për të falënderuar John Vogel, i cili numëron 21 vite shërbim në radhët e Ushtrisë Amerikane, ndër të cilat 4 vite në Zyrën e Atasheut Ushtarak të Ambasadës Amerikane në Shqipëri”, tha Vengu në një postim në rrjetet sociale.
Ministri Vengu u shpreh se “përmes tij, nderojmë të gjithë ushtarakët që forcojnë dita ditës dhe i japin kuptim partneritetit strategjik me SHBA”.
Gjatë kohës së angazhimit të kryekapterit Vogel në Ambasadën e SHBA në Tiranë, Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria zhvilluan konsultimet e para dypalëshe të mbrojtjes që nga pandemia COVID, rihapën bazën ajrore të Kuçovës për mbështetjen e operacioneve të mbrojtjes së NATO-s në të ardhmen, mirëpritën Komandantin Suprem të Forcave Aleate për Evropën, gjeneral Cavoli në Tiranë për të bashkëkryesuar konferencën e Shefave të Shtabit të Përgjithshëm (A5) dhe forcuan mbrojtjen kibernetike të Shqipërisë.