Bordi i ushqimeve në Kushtetuese, Sula: 76.7% rritja e produkteve të shportës, Bordi ka dyfishuar çmimet

Partia Demokratike ka ndërmarrë një nismë tjetër ligjore për zhbërjen e Bordit i cili përcakton çmimin e ushqimeve të shportës. Me motivacionin e abuzimit dhe aktet normative mbi të cilat Bordi funksionon janë antikushtetuese, deputetwt e PD ka dorëzuar në Gjykatë Kushtetuese një kërkesë me firmë të 29 deputetëve.

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka dorëzuar këtë të hënë kërkesën pranë Gjykatës Kushtetuese për të shfuqizuar vendimin e Qeverisë në bazë të të cilit funksionon Bordi i përcaktimit të çmimeve për ushqimet e shportës.

Deputeti, Dashnor Sula, ka bërë me dije se kjo kërkesë vjen pas konstatimit se ky Bord nuk po u shërben qytetarëve, por qeverisë për të mbushur buxhetin e shtetit teksa u shet thërrimet si paketë ndihme.

Sula: Sapo dorëzuam kërkesën për shfuqizimin e aktit normativ të qeverisë për bordin për çmimet e ushqimeve. Qeveria i ka kthyer në ditë dimri të gjitha ditët e verës për qytetarët shqiptarë. Kanë paguar çmime të larta për të gjitha produktet ushqimore. Paketat e ndihmës së qeverisë ishin tërësisht të pamjaftueshme.

Unë bashkë me kolegët e PD kemi bërë përllogaritje dhe del që është 76.7% rritja e produkteve të shportës. Gati dyfishim. Paketa që jep kjo qeveri janë vetëm thërrime. Kjo është për të ardhur keq dhe gjej momentin t’i bëj thirrje Gjykatës Kushtetuese që të marrë me procedurë të përshpejtuar këtë kërkesë.

Sula është shprehur se përveç mungesës së transparencës ka munguar edhe pjesëmarrja e qytetarëve në këto borde.

Sula: Ky Bord është abuziv dhe nuk përfaqëson interesat e qytetarëve të shqiptarëve. Është një bord që përbëhet nga qeveria dhe grosistët, zero përfaqësim të qytetarëve shqiptarë. Është thjeshtë propagandë. I kërkojmë ndjesë qytetarëve për vonesën.

Në kërkesë parashtrohet se dy aktet normative të miratuara nga qeveria për funksionimin e Bordit janë në kundërshtim me ligjin.

Më 6 shtator Partia Demokratike iu drejtua Gjykatës me të njëjtin motivacion edhe për zhbërjen e Bordit që që cakton çmimin e naftës, benzinës dhe gazit, për shpalljen e tij si antikushtetues dhe abuziv.

EMISIONET