Arrestohen vëllezërit hajdutë që u kthyen në makth për Beratin, 38 vjedhje në 3 vite

Më të paktën 38 vjedhje të provuara në tre vitet  e fundit, dy vellezër ishin kthyer në makth për Beratin. Artur dhe Fatmir Hyka, përkatësisht 49 dhe 45 vjeç u vunë në pranga ndërsa po vidhin banesën e radhës.

Dy vëllezër janë arrestuar në Berat si autorë të dyshuar të 38 vjedhjeve.

Artur dhe Fatmir Hyka, përkatësisht 49 dhe 45 vjeç, të dy banues në lagjen “Jani Vruho”, ishin kthyer në makth për qytetin.

Ndër vite kishin bërë kërdinë me vjedhje, por kishin arritur ti shpëtonin policisë deri këtë të mërkurë kur u vunë në pranga.

Ata u kapën në flagrancë duke tentuar të vidhnin banesën e një gruaje në qytet.

Pas veprimeve të para hetimore, blutë e Beratit kanë dyshime se Artur dhe Fatmir Hyka janë autorë të 38 vjedhjeve të tjera të ndodhura në harkun kohor 2018-2021.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan mjetet që ata përdornin për të hapur dyert ose dritaret e shtëpive që më pas vidhnin.

Policia ka dyshime se dy vellezërit Hyka mund të jenë autorë edhe të vjedhjeve të tjera në Berat apo më gjerë, ndaj vijon hetimet.

Vjedhjet mbeten një prej veprimtarive kriminale shqetësuese në të gjithë vendin.

Sipas të dhënave zyrtare në 6 muajt e parë të këtij viti janë denoncuar 143 vjedhje dhe grabitje, ndërsa rastet kanë qenë të shumta edhe në gjysmën e dytë të vitit.

Vetëm në Shënkoll të Lezhës, banorët kanë raportuar 50 raste vjedhjesh në harkun e dy muajve të fundit, ndërsa fenomeni denoncohet në shumë fshatra, kryesisht ku kanë mbetur vetëm banorë të moshuar.

Mbi bazë të raportimeve të policisë, kryesisht autorët e vjedhjeve janë të mitur ose të rinj, por nuk mungojnë as rastet kur të rritur e kanë kthyer vjedhjen në profesion.

Arrestohen vëllezërit hajdutë që u kthyen në makth

EMISIONET