Begaj dhe Osmani shmangën Open Balkan, Shehu: S'mund të fshihesh si struci! Traktati i Mbrojtjes duhet konsultuar me NATO-n

Dy presidentët e Shqipërisë dhe Kosovës, Bajram Begaj dhe Vjosa Osmani shmangën sot deklaratat për Open Balkan, tema që ndan dy shtetet shqiptare në qëndrime.

Deputeti demokrat Tritan Shehu, njohës i mirë i politikës së jashtme, në një intervistë për Ora News me gazetarin Everest Dedaj thotë se çështje problematike si kjo nuk mund të zgjidhen me heshtje.

Shehu: Nuk mundet të zgjidhen çështjet që janë problematike pa i përmendur ato, ky është gabimi më i madh. Nuk mund të bësh rolin e strucit. Që ti zgjidhësh problemet duhet ti pranosh, ti diskutosh dhe të kërkosh të japësh zgjidhjen publike. Kjo është detyra e presidentit të Republikës, kjo është detyra e çdo njeriu që do të influencojë në forcimin e marrëdhënieve Shqipëri-Kosovë.

Është e paimagjinueshme të kërkosh të ruash një status quo siç janë marrëdhëniet sot Shqipëri-Kosovë vicioze, jo ajo që u duhet shqiptarëve, Shqipërisë, Kosovës dhe stabilitetit të rajonit. Të kërkosh të ruash këtë status quo duke evituar të prekësh problemet për mua është mungesë realizmi dhe do të thotë se nuk bën dot gjë, nuk zgjidh problemet, qëndron aty ku je.

Detyra e personaliteteve është të zgjidhin problemet, jo ti mbajnë të fshehura, të mbyllura. Problemet duhen hapur, duhen diskutuar qartë. Ballkani i Hapur është rrjedhojë e kësaj filozofie të qeverisë Rama, duke vendosur marrëdhëniet Shqipëri-Serbi ndoshta të painfluencueshme nga marrëdhëniet Serbi-Kosovë.

Meqenëse Serbia është e lidhur me Rusinë, direkt apo indirekt kërkon të tërheqë rajonin drejt Lindjes duke e larguar nga BE. Rajoni jonë duhet të ketë në krye të tavolinës Brukselin dhe jo Vuçiçin, jo Beogradin.

Por ndërsa heshtën për Ballkanin e Hapur, dy krerët e shteteve folën për një  "Traktat për Mbrojtje të Ndërsjelltë Shqipëri-Kosovë".

Shehu e sheh një nismë pozitive por kjo sipas tij më parë duhet konsultuar me NATO-n.

Shehu: Që duhet të ketë marrveshje të nënshkruara Shqipëri-Kosovë në nivelin e sigurisë, nivelin ushtarak, kjo është e domosdoshme. Termat duhen konsultuar së pari me NATO-n ku bëjmë pjesë. Ka hapa përpara për tu bërë.

EMISIONET