Baza e NATO-s në Kuçovë, punimet nisin në janar, 50 mln euro investim. Punësim dhe zhvillim ekonomik për zonën

Punimet për bazën ajrore të NATO-s në Kuçovë do të nisin në fillim të vitit të ardhshëm.
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, njoftoi sot pas mbledhjes së qeverisë se guri i parë do të vendoset në ditët e para të janarit ndërsa gerantoi banorët e prekur nga projekti se do të shpronësohen në vlerën e tregut.
Peleshi: Me vendimin e sotëm kompletojmë kuadrin rregullator, ligjor dhe i hapim rrugën fillimit të punimeve. Në ditët e para të janarit do të vendoset në mënyrë simbolike guri i parë i bazës taktike të Kuçovës, bazë taktike e NATO-s. Lajm i mirë dhe për familjet që preken nga vendimi i sotëm, i shpronësimit, do shpronësohen sipas vlerës së plotë të tregut pa asnjë vonesë. Për banorët e zonës përreth është një lajm i dyfishtë pozitiv pasi është një zhvillim mbi 50 mln euro investim, që do të thotë zhvillim ekonomik dhe punësim për gjithë zonën përreth.
Peleshi tha se ky është një lajm i mirë për gjithën rajonin, sigurinë kombëtare dhe sigurinë e Ballkanit Perëndimor.
Peleshi: Do të kemi një bazë taktike të NATO-s që do të thotë më shumë siguri për sot dhe nesër. Le të presim dhe pak javë derisa të fillojmë punën pasi të mbyllim gjithë shpronësimet bazuar te ky vendim i Këshillit të Ministrave.


