Banorët e "Urës së Gjolës" sërish në protestë, paralajmërojnë bllokimin e aksit Fushë Krujë–Vorë

Banorët e "Urës së Gjolës" sërish në

Banorët e zonës së Urës së Gjolës, në njësinë administrative të Fushë-Krujë, u ngritën në ditën e sotme (e premte), duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për rikonstruksionin e rrugës që lidh fshatin e tyre me autostradën Fushë Krujë–Vorë.

Sipas tyre, aksi rrugor prej vitesh ka mbetur vetëm një premtim elektoral, ndërsa gjendja në terren vijon të përkeqësohet. Rruga është e mbushur me gropa dhe pellgje uji përgjatë gjithë gjatësisë së saj, ndërkohë që, siç shprehen banorët, nuk është kryer asnjë investim serioz.

Madje, rruga nuk është asfaltuar asnjëherë, edhe pse përgjatë saj jetojnë rreth 100 familje. Për pasojë, aksi konsiderohet i pakalueshëm, sidomos gjatë ditëve me reshje.

Banorët ngrenë shqetësimin se kalimi i autoambulancave apo mjeteve zjarrfikëse është pothuajse i pamundur.

Ata shprehen se në raste emergjente, transportimi i një të sëmuri drejt spitalit mund të zgjasë aq shumë sa të rrezikojë jetën e tij për shkak të kushteve të rrugës.

Në deklaratat e tyre, protestuesit paralajmëruan se nëse nuk marrin një përgjigje konkrete nga Bashkia Krujë për nisjen e punimeve, do të bllokojnë autostradën Fushë Krujë–Vorë si formë presioni.

Banorët kujtojnë gjithashtu se janë ndër më të prekurit nga shpronësimet për ndërtimin e autostradës Thumanë–Kashar.

Sipas tyre, në atë periudhë u ishte premtuar edhe ndërtimi i rrugës së Urës së Gjolës, një premtim që mbeti në harresë me kalimin e kohës.

Ata kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme dhe një afat të qartë për nisjen e punimeve, duke theksuar se infrastruktura rrugore është jetike për sigurinë dhe përditshmërinë e komunitetit.

EMISIONET