Balla në Fier: Ruçi i pazëvendësueshëm por do të bëj më të mirën

I konsideruar si bastion i PS dhe drejtuar për vite me radhë nga një prej personaliteteve më të rëndësishme të kësaj partie, qarku i Fierit i është besuar ish-numrit dy të PS, aktualisht kreu i grupit parlamentar, Taulant Balla.

Këtë të mërkurë ai u prezantua me degën e PS-së në Fier.

Balla: Jam shumë i kënaqur që vij të drejtoj PS Fier pasi atë e ka drejtuar për 12 vite me radhë personaliteti më i rëndësishëm i PS-së, Gramoz Ruçi.  Secili prej nesh, anëtarëve  të kryesisë së PS dhe drejtuesve të PS e ka një ëndërr që në një moment të karrierës së tij të jetë drejtuesi politik për PS i qarkut Fier.

Balla tha se Ruçi është i pazëvendësueshëm,  por do të mundohet të bëj më të mirën.

Njësoj si Gjiknuri, edhe Balla nuk përjashtoi ndryshime në struktura por pas analizës.

Balla: Në momentin që të përmbyll analizën do të jem në gjendje të them ku jemi mirë, ku jemi dobët dhe ku duhet të përmirësohemi. PS në Fier ka marrë një rezultat të mirë, kemi pasur objektiv më të lartë, ky objektiv është vendosur pas zgjedhjeve 2017. Por ne kemi marrë një mbështetje shumë të madhe në Fier dhe në 2021. Këtë pjesë ma lini mua.Ndryshimet i kemi sipas disa rregullave që janë vendosur në statusin e PS. Një kryetar organizate që drejton partinë në një qendër votimi nëse ka marrë një rezultat më të vogël se ai pararendës do të zëvendësohet.

Balla tha se do të jetë çdo javë në Fier dhe së bashkë me deputetët dhe kryetarët e bashkive do të përmbushë angazhimet e PS për këtë qark ndaj të cilit është shumë borxhli sipas tij.

Balla: Është qarku ku PS ka më shumë detyrime se në shumë qarqe të tjera dhe qarku ku buron mbështetja më e madhe për PS. Por është përgjegjësia më e madhe sepse jemi shumë borxhlinj ndaj Fierit. Do të jem çdo javë këtu por e sigurt që do të punojmë bashkë me grupin e deputetëve dhe kryetarët e bashkive për të përmbushur të gjitha angazhimet që kemi marrë. Janë më shumë se 92 mijë banorë të qarkut që na kanë dhënë besimin me votë.

Do të vazhdojmë të rrisim vëmendjen e qeverisë, investimet kanë qenë të mëdha dhe do të vazhdojnë të jenë të tilla. Vëmendja e qeverisë për qarkun Fier si qarku me ekonominë e dytë më të madhe  në vend do të vazhdojë të jetë. Synoj të ndërtojmë një marrëdhënie shumë të fortë mbështetëse për sipërmarrjen e Fierit, komuniteti i biznesit të Fierit është një komunitet që ka një nivel të lartë të pagesës së detyrimeve që burojnë nga aktivitetet e tyre. Roli i një drejtuesi politik është të krijojë një lobing të domosdoshëm në mbështetje të Fierit.

EMISIONET