Gjiknuri prezanton Ballën në Fier: Përgatitemi për vendoret, PS nuk është parti që fle gjumë

Partia Socialiste pritet ti nënshtrohet një reformimi organizativ për zgjedhjet e ardhshme lokale. Sekretari i Përgjithshëm, Damian Gjiknuri, në prezantimin e drejtuesit të ri të qarkut Taulant Balla, tha se PS nuk mori rezultatin e pritshëm.

Damian Gjiknuri dy javë pasi i mori detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm dhe drejtuesin e qarkut të Elbasanit, e ka prezantuar Taulant Ballën në krye të PS së Fierit.

Pasi ka prezantuar ndryshimet në strukturën socialiste, numri dy i socialistëve ka shprehur shqetësim për votat e marra në zgjedhjet parlamentare, ndërsa ka kërkuar angazhim në përgatitjen e zgjedhjeve vendore.

Gjiknuri: Si Sekretar i Përgjithshëm kam nisur një tur takimesh për të prezantuar të deleguarit e ri dhe për të filluar punën e reformimit organizativ të PS me qëllim që PS që tani të fillojë përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme lokale.

Ne nuk jemi një parti që mund të flemë gjumë dhe të presim zgjedhjet, përkundrazi ne duhet të fillojmë të kryejmë detyrat tona, të organizohemi sa më mirë dhe aq më tepër që dalim nga disa zgjedhje fituese edhe në qark, pavarësisht se rezultati mund të kishte qenë më i mirë. PS do të korrigjojë ato gabime që ka bërë me qëllim që zgjedhjet vendore të jenë një rezultat shumë i favorshëm i PS.

Në të gjithë Shqipërinë do të ketë riorganizim të strukturave që patjetër mund të përfshijë dhe Fierin dhe bashkitë e tjera, jo vetëm të qarkut të Fierit por gjithmonë në funksion të analizës dhe rezultateve elektorale.

Fieri nuk pati rezultatin që ne prisnim dhe ka një analizë të thellë për të bërë pasi Fieri ka qenë një qark tradicionalisht i majtë. Ka gjëra qën duhen riparë, fitorja e zgjedhjeve vendore në Fier do të jetë shumë e rëndësishme për fitoren e zgjedhjeve të përgjithshme kur tu vijë radha.

Taulant Balla ditën që u largua si drejtues politik nga vendlindja e tij deklaroi se do të kontrollonte investimet në Elbasan. Por sot ai kërkon mbështetje për Fierin.

Damian Gjiknurit në detyrën si Sekretar i Përgjithshëm i PS-së i është lënë 100 ditë afat prej kryeministrit Edi Rama për të riorganizuar strukturat. Ndërsa drejtuesit politikë kanë marrë rol ekzekutiv.

EMISIONET