Autogoli i Veliajt me vendimin për Rtv Ora e Ora News, Sokolaj: Komunikimin me grupin në gjykatë e kam pasur 40 minuta pas

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, vazhdon të ndikojë në proceset gjyqësore ndaj Rtv Ora dhe Ora News.

Edhe pse në një aktivitet të Diasporës, që nuk kishte lidhje me çështjen, ai ka parashikuar vendimin e gjykatës për mospranimin e skadimit të afateve të sekuestros dhe gjyqit të konfiskimit. Hakmarrja e Veliajt për mediat të cilat nuk i kontrollon dot, u shfaq më pas me akuza të përsëritura.

Trashëgim Sokolaj, drejtor Informacioni Ora News tregoi në Ora e Betit se kontaktin me grupin e xhirimit në gjykatë mundi ta kishte 40 minuta pasi Veliaj do ta shpallte publikisht në aktivitetin për Diasporën.

Sokolaj: Seanca gjyqësore sot në gjykata ka filluar rreth orës 9 se kanë qenë dy seanca. Nga ora 9 në 11:05 e kam pasur të pamundur të komunikoj me grupin që kisha në gjykatë sepse nuk lejohen telefonat për përfaqësuesit e mediave brenda në gjykatë.

Ky person (Veliaj) ka shfaqur në mënyrë të vazhueshme interes për procesin dhe ka bërë deklarata me të cilat ka sugjestionuar gjykatës, i ka sugjestionuar qëndrimet prokurorisë por nuk mund të aludoj përtej kësaj përveçse të them fakte.

Rreth orës 10:35 grupi që kishim duke ndjekur konferencën e diasporës ku ishte prezent Veliaj më raportoi me shkrim dhe më pas sollën pamje ku kryetari i bashkisë kishte artikuluar këto deklarata.

Ndërkohë unë komunikimin me grupin në gjykatë e kam realizuar në 11:05. Rreth 40 minuta më vone ku kemi mësuar dhe vendimmarrjen në gjykatë. Ishte shumë e habitshme që Veliaj të kishte këtë informacion.

Sokolaj shtoi se deri në momentet kur procesi u fut në paligjshmëri, dy televizionet e kanë lënë drejtësinë të bëjë punën e vet.

Sokolaj: Nga ajo ditë deri në momentin që grupi i avokatëve na ka njoftuar që kanë kaluar afatet për një gjyq normal dhe një gjyq proceduralisht të rregullt ne kemi respektuar procesin.Nuk ka pasur asnjë kronikë të vetme që përpiqet të intimidojë apo të ndikojë në këtë proces.

I kemi lënë të hapur drejtësisë të bëjë punën e saj përsa kohë që drejtësia ishte duke vepruar brenda shinave ligjore. Por momenti i tejkalimit të afateve ishte një sinjal alarmi që këtu ka një vullnet për të shkuar në terrene që nuk janë ligjore.

Automjeti ka dalë nga rruga dhe tani çdo lloj situate dhe manovrimi që mund të bëhet është jashtë rrugës. Kërkesa që kanë bërë avokatët së fundi në gjykatë për afatet por dhe qëndrimi që ata kanë mbajtur gjatë gjithë procesit ka qenë një ndihmë për gjykatën dhe prokurorinë për ti korrigjuar gabimet që kanë bërë në këtë proces dhe për të ulur sadopak koston që shteti shqiptar mund të ketë nesër në gjykatat ndërkombnëtare. Është një çështje që ka të bëjë dhe me lirinë e medias, gazetarëve dhe nuk mund të shpëtojë pa u trajtuar në gjykata ndërkombëtare.

Ai pati një apel për institucionet.

Sokolaj: U bëj thirrje të gjitha institucioneve që të lënë mënjanë axhendat politike dhe interesat e momentit dhe të fillojnë zbatimin e ligjit sepse çështja është serioze dhe kërkon reagim serioz.

Duke u kthyer pas në kohë te aksioni i RENEA-s në televizion, Sokolaj tha se show ishte pasojë e një servilizimi të drejtuesve të policisë së kohës ndaj atyre që e kishin gatuar këtë "çorbë".

Sokolaj: Ka qenë një servilizëm i pështirë i drejtuesve të policisë të asaj kohe kanë bërë ndaj atyre që e kanë gatuar këtë histori. Duhet të kemi parasysh diçka.

Lëvizja e repartit special RENEA nuk mund të bëhet as nga gjykata, as drejtori i policisë së Tiranës por nga zëvendësdrejtori i Përgjithshëm ose drejtori i Përgjithshëm i Policisë. Lëvizja e RENEA-s bëhet me protokoll të veçantë.

EMISIONET