Aksident i shumëfishtë në Tiranë, përplaset urbani i Unazës, 10 të plagosur

Një prej urbanëve të Unazës në Tiranë u përfshi në një aksident të rëndë përballë Tajvanit, duke përplasur 9 automjete. 10 persona mbetën të plagosur si pasojë e ngjarjes. Pamjet filmike tregojnë edhe momentin kur një kalimtareje i shpëton jetën mrekullisht pema që ndaloi makinën.

Ky është momenti kur autobusi i linjës së Unazës u përfshi në aksident pranë urës së Tajvanit në Tiranë, duke goditur edhe 9  automjete të tjera.

Siç mund të dallohet edhe nga kamerat e sigurisë, autobusi godet fillimisht një makinë tip Audi dhe më pas mjetin tip Porsche.

Ky i fundit  nga forca e goditjes  shkatërron stacionin e urbanit dhe pastaj përplaset me pemën, e cila i shpëton jetën një kalimtareje.

Autobusi ende në lëvizje për shkak të forcës shtytëse ndryshon drejtim, duke u përplasur dhunshëm edhe me makinat e tjera.

Fatmirësisht u raportua vetëm për të dëmtuar, mes të cilëve edhe shoferi i urbanit.

Një prej drejtuesve të mjeteve të përfshira në përplasje tha se autobusi ka qenë me shpejtësi tepër të lartë në momentin kur ndodhi ngjarja.

"Ishte shumë shpejt."

E ndërsa zyrtari i policisë rrugore Taulant Gjoka tha se shkaqet po hetohen.

"Sa më parë të kemi një verdikt lidhur me shkaqet e aksidentit rrugor do t'ua bëjmë me dije."

Gjatë kontrollit për alkool që i është bërë drejtuesit të urbanit në spital nuk ka rezultuar që të ketë qënë nën efektin e alkoolit.  

Ndërkohë testeve për drogë dhe alkool do ti nënshtrohen edhe shoferët e tjerë të mjeteve që u përfshinë në ngjarje.

Hetimi i aksidentit do të përfshijë edhe një akt-ekspertim teknik për të parë nëse ka pasur probleme teknike apo elektrike.

Ora 12:47 Përplaset sërish Unaza, dëshmitari: Ishte me shpejtësi, shoferi i urbanit nuk ishte mirë


Ora 12:35 Përplasja e "Unazës" tek Tajvani, Shefi i Trafikut Urban: Të gjithë shoferëve do tu bëhet testi i alkoolit 


Ora 12:08 Kaos dhe panik në kryeqytet, autobusit të Unazës nuk i mbajnë frenat, përplasje e frikshme me makinat në semafor 

Informacion shtesë nga policia

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë pak minuta më parë, ku rreth orës 11:35, në vendin e quajtur “Ura e Tajvanit”, një autobus i linjës së Unazës është përplasur me disa automjete, ju sqarojmë se:

Si pasojë janë dëmtuar shtetasit: A. Xh., 63 vjeç, (drejtuesi i autobusit), M. S., 35 vjeçe; G. P., 27 vjeç dhe V. P., 27 vjeç; O. G., 52 vjeç dhe J. C., 31 vjeçe, D. N., 27 vjeç, K. A., dhe E. H., të cilët ndodhen nën kujdesin e mjekëve.

Pas testit të alkoolit, drejtuesi i autobusit nuk ka rezultuar nën efektin e pijeve alkoolike.

Në vendngjarje ndodhen shërbimet e ambulancës dhe shërbimet e Policisë.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

Njoftimi paraprak i policisë për aksidentin

Më datë 27.02.2023, rreth orës 11:35, në vendin e quajtur Ura e Tajvanit, një autobus i linjës së Unazës është përplasur me disa automjete.

Si pasojë janë dëmtuar 3 shtetas të cilët ndodhen nën kujdesin e mjekëve.

Në vendngjarje ndodhen shërbimet e ambulancës me stafin mjekësor dhe shërbimet e Policisë.

Po kryhen veprimet.

tirane aksident rrugor autobusi i unazës

EMISIONET