VIDEO+EMRI/ Asgjësohen 1408 sende të paligjshme, arrestohet në flagrancë 34-vjeçari
Në qarkun Shkodër janë zbuluar dhe asgjësuar 1408 bimë të dyshuara narkotike të llojit cannabis sativa, në kuadër të një operacioni të vazhdueshëm kundër kultivimit të drogës.
Në fshatin Gomsiqe janë gjetur 130 bimë narkotike dhe është arrestuar një 34-vjeçar, Denis Gjini, i cili dyshohet se i kishte kultivuar ato. Bimët janë asgjësuar në vendngjarje me djegie.
Ndërkohë, në zonën e njësisë administrative Temal janë zbuluar edhe 1278 bimë të tjera cannabis sativa, për të cilat po punohet për identifikimin e personave përgjegjës.
Hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe përfshirjen e mundshme të personave të tjerë.
Njoftim:
Qarku Shkodër/Vijon operacioni policor i koduar “Koordinata”, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për kultivim të bimëve narkotike.
Gjenden dhe asgjësohen 1408 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.
Kapet në flagrancë dhe vihet në pranga një 34-vjeçar, i dyshuar si autor i kultivimit të 130 prej këtyre bimëve, në fshatin Gomsiqe.
Si rezultat i kontrolleve intensive në të gjithë territorin e qarkut Shkodër, në vijim të operacionit policor të koduar “Koordinata”, bazuar dhe në inteligjencën policore, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të komisariateve në varësi të saj, kanë gjetur të kultivuara dhe kanë asgjësuar 1408 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, konkretisht:
-Shërbimet e Stacionit të Policisë Velipojë gjetën në fshatin Gomsiqe, 130 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa. Gjatë ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë u kap në flagrancë dhe u arrestua shtetasi D. Gj., 34 vjeç, banues në fshatin Gomsiqe, i cili dyshohet se ka kultivuar këto bimë, të cilat u asgjësuan me me anë të djegies.
-Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës gjetën në territorin e njësisë administrative Temal, dhe asgjësuan 1278 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa. Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorit/ëve të kultivimit të këtyre bimëve narkotike.
Operacioni antikanabis i koduar “Koordinata”, vijon.


