Apeli i Tiranës detyron Gjykatën e Elbasanit që të gjykojë dosjen e pengmarrjes ndaj Bledar Karajt
Gjykata e Apelit Tiranë, ka vendosur t’i qëndrojë strikte një vendimi të Gjykatës së Lartë, e cila urdhëronte në 8 mars 2022 që dy personat Endri Çopja dhe Marjus Lulaj, (Suel Çela) t’i nënshtrohen gjykimin për një ngjarje të ndodhur 10 vite më parë në Elbasan.
Vendimi për rikthimin në gjykim themeli të dy të dyshuarve është marë nga gjyqtare e Apelit, Valdete Hoxha, e cila tashmë detyron gjykatën e Elbasanit, të shortojë dosjen dhe nisë procesin e gjykimit për këtë ngjarje të vjetër.
Dy të dyshuarit do kenë mundësinë të japin para gjykatës provat e tyre duke synuar pafajësinë, ndërsa prokuroria do mbajë qëndrim për dënimin e tyre.
Bëhet fjalë për dosjen penale me nr.627/1 që flet për “Heqjen e paligjshme të lirisë” ndaj shtetasit Bledar Karaj.
Çështja ndaj dy të dyshuarve është rregjistruar në Prill 2013 nga prokuroria e Elbasanit, për dy akuzat “Mbajtje pa lejë të armëve dhe “Heqje e paligjshme e lirisë”.
Ndërsa vetë i dëmtuari i kësaj çështje, Bledar Karaj, ka treguar 10 vite më parë gjatë fazës së hetimit fillestar, se nuk i njeh dhe nuk kanë qënë Endri Çopja dhe Suel Çela, personat që e kanë marë peng në makinë.
Nisur nga kjo situatë, ndjekja penale për dy të dyshuarit është pushuar në 26 dhjetor 2013 nga prokuroria e Elbasanit.
Por në 12 korrik 2018 njësia Task-Forcë, dhe prokuroria e Elbasanit, kanë rihapur dosjen me nr. 627/1, duke akuzuar sërisht këtë herë Suel Çelën dhe Endri Çopjan për akuzën e “Heqjes së paligjshme të lirisë” dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve”.
Çështja ndaj tyre shkoi për gjykim në gjykatën e Elbasanit, por në seancë paraprake u vendos pushimi i dosjes. Por ka qënë Gjykata e Lartë, që përmes një vendimi të datës 8 Mars 2022, urdhëronte rikthimin e dosjes në shkallë të Dytë, duke vendosur që Gjykata e Apelit Tiranë të urdhëronte Gjykatën Elbasan për të hapur procedurën e gjykimit me gjyqtarë të ndryshëm.