VIDEO+EMRI/ Akuzohet për trafikim droge dhe grup kriminal, ekstradohet nga Franca fieraku 52-vjeçar
Ekstradohet nga Franca drejt Shqipërisë, një shtetas shqiptar i akuzuar për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Lyon, Francë, është ekstraduar nga Franca, shtetasi shqiptar Fraklin Xhelaj, 52 vjeç, banues në Fier.
Për këtë shtetas, GJKKO, me vendimin e datës 19.07.2021, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, të organizuar në formën e grupit të strukturuar kriminal, dyshohet se është përfshirë në trafikun e lëndës narkotike heroinë, duke e transportuar mes Greqisë, Shqipërisë, pjesërisht edhe në Maqedoninë e Veriut.
Nga hetimet me metoda speciale, ky shtetas dyshohet të jetë përfshirë në tri episode të ndryshme të kësaj veprimtarie kriminale, gjatë vitit 2016, dy prej të cilave kanë mbetur në tentativë.
Nga hetimet dhe veprimet e bashkërenduara midis autoriteteve gjyqësore shqiptare dhe atyre greke është bërë i mundur sekuestrimi i rreth 27 kg heroinë.
Shtetasi F. Xh., i përfshirë në këtë veprimtari kriminale, kishte pseudonimin “Bebi”.
Shtetasi i ekstraduar iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për veprime të mëtejshme.