Lidhja me mafien shqiptare/ Amerika Latine, “parajsa” e drogës! Pse shtetet dikur të sigurta janë “mbërthyer” nga krimi?

Lidhja me mafien shqiptare/ Amerika Latine, “parajsa” e drogës!

Dhuna e bandave po përhapet në të gjithë Amerikën Latine. Shtete më parë të sigurta si Ekuadori, tani janë mbërthyer nga krimi, shkruan The Economist. Më 27 tetor, 90 policë, 22 automjete dhe një kamion, qëndruan në gatishmëri në një fushë në periferi të Santiagos, kryeqytetit të Kilit.

Nuk ndodheshin aty për të shuar ndonjë protestë të zhurmshme, por për të vëzhguar një narkofuneral: varrimin e një gruaje të re, që dyshohej se kishte lidhje me trafikantët e drogës. Një ngjarje e tillë, gjatë së cilës vajtuesit shpesh qëllojnë me plumba në ajër, më parë do të kishte qenë krejt e papërfytyrueshme në Kili, që është konsideruar prej kohësh si një nga vendet më të sigurta në Amerikën Latine.

Por midis majit 2019 dhe shtatorit 2023, bandat mbajtën gati 2,000 funerale të tilla, sipas presidentit Gabriel Boric. Në shtator, zoti Boric paraqiti një projektligj në Kongres me synimin për t’i kufizuar ato. Harta e vrasjeve në Amerikën Latine po ndryshon. Shkalla e vrasjeve në rajon ka rënë që nga viti 2017, megjithëse shtete si Meksika dhe Brazili kanë ende disa nga qytetet me shkallën më të lartë të vrasjeve në botë. Por në shtete që më parë ishin të sigurta, shkalla e vrasjeve po arrin nivele rekord, duke përfshirë Ekuadorin, Kosta Rikën dhe Kilin. Këtë dukuri mund ta përmbledhim si “rrjetin e ri të narkotikëve”, ku ndërthurja e drogës, armëve dhe emigrimit, po nxit dhunën e bandave në të gjithë rajonin.

Marrim së pari Ekuadorin. Zhytja e tij në kaos ka qenë e shpejtë. Në vitin 2018, vendi ishte një zonë e përgjumur e Andeve, me një popullsi prej 17 milionë banorësh. Ai eksportonte kryesisht vaj dhe peshk. Kishte shkallën e katërt më të ulët të vrasjeve në Amerikën Latine, me 5.8 për 100,000 njerëz. Këtë vit, kjo normë pritet të arrijë në 35 për 100,000 njerëz.

Tashmë është më e lartë se ajo e Meksikës dhe e Brazilit (shih grafikun). Grupet kriminale vrasin pa u ndëshkuar, duke vendosur bomba dhe duke varur trupa të pajetë nga urat. Në gusht, një kandidat për president që premtoi të luftonte korrupsionin, u vra. Gjashtë vrasësit e akuzuar kolumbianë u gjetën të varur në qelitë e burgut në tetor.

Kokaina është shkaku kryesor i problemeve të Ekuadorit. Për dekada, vendi është shpërfillur nga trafikantët ndërkombëtarë të drogës. Kjo ndryshoi në fund të viteve 2000, kur bandat kuptuan se mund të merrnin përfitime edhe më të mëdha duke depërtuar më larg, në Europë dhe në Australi. Për rrjedhojë, bandat më pas ndryshuan metodat e transportit: në vend që ta paketonin kokainën në avionë ose në varka për në Shtetet e Bashkuara, e futën brenda anijeve me kontejnerë, duke e fshehur midis mallrave të ndryshëm.

Pasi portet kolumbiane forcuan sigurinë, kriminelët kërkuan rrugë alternative transporti. Portet e Ekuadorit me një mbikëqyrje të dobët, u bënë edhe më tërheqëse pas vitit 2009, kur presidenti i majtë Rafael Correa dëmtoi mbrojtjen e vendit, duke mbyllur një bazë detare amerikane dhe i dha fund bashkëpunimit me Administratën Amerikane të Zbulimit të Drogës.

Bandat e Ekuadorit, si Los Choneros, u regjistruan si transportues, duke transportuar kokainën për bandat meksikane dhe mafien shqiptare. Deri në vitin 2019, Ekuadori u kthye në një pikë të njohur të kalimit të drogës. Burgosja e gangsterëve thjesht ndihmoi në forcimin e rrjeteve kriminale. Banda Los Choneros lulëzoi nëpër burgjet e mbushura, duke rekrutuar edhe më shumë veta dhe duke nisur sulme ndaj armiqve. Vrasjet u përshkallëzuan në masakra, me dhjetëra të burgosur që u copëtuan dhe u dogjën.

Në vitin 2021, rreth 330 të burgosur u vranë në Ekuador, numri më i lartë në botë. Në të njëjtin vit, kokaina u rendit si eksporti i gjashtë më i madh i Ekuadorit, me një vlerë prej gati 1 miliard dollarësh, ose sa 0.9% e PBB-së, sipas gazetës hetimore InSight Crime.

Në mënyrë të ngjashme, këtë vit, në Kosta Rika, vrasjet parashikohet të arrijnë një rekord prej 17 për 100,000 njerëz, krahasuar me 11 për 100,000 njerëz, tre vite më parë.

Kokaina është gjithashtu një problem i madh në këtë vend. Rritja e prodhimit në Kolumbi, ku janë mbledhur sasi rekord gjethesh të kokainës në vitet e fundit, ka nxitur rritjen e dërgesave të drogës në Kosta Rika, thotë Álvaro Ramos, ish-ministër i Sigurisë. Megjithatë, kokaina nuk është e vetmja arsye për rritjen e dhunës. Në vitet e fundit, shumë vrasje janë kryer në lidhje me tregun vendas të marijuanës.

Kanabisi i paligjshëm është një biznes i madh në Kosta Rika: 3% e banorëve thonë se e përdorin çdo muaj, një nga normat më të larta të konsumit në Amerikën Qendrore. Shumë banda parapëlqejnë hashashin në vend të kokainës. Transporti i kokainës është i vështirë: kërkon lidhje dhe zyrtarë të korruptuar (nga të cilët në Kosta Rika ka relativisht pak). Në të kundërt, hashashi ka pak pengesa për hyrjen dhe mund të shitet kudo.

Shteti nuk zotëron mjetet e duhura për të ndalur lulëzimin e këtyre bandave të reja. Kosta Rika shfuqizoi ushtrinë në vitin 1949. Presidenti Rodrigo Chaves fajëson administratat e kaluara dhe sistemin gjyqësor për gjendjen e krijuar. Ai thotë se vendi nuk ka polici të mjaftueshme, ligjet janë të vjetruara dhe sistemi gjyqësor është shumë i butë ndaj kriminelëve.

Vendi i tretë në këtë rrjet të ri narkotikësh, Kili, nuk është një pikë e nxehtë vrasjesh. Vitin e kaluar, shkalla e vrasjeve arriti një rekord prej 6.7 për 100,000 njerëz. Kjo është shumë më pak se fqinjët dhe afër normës prej 6.3 në Shtetet e Bashkuara. Por siç dëshmojnë narko-funeralet e vendit, krimi po përkeqësohet shumë.

Kokaina dhe kanabisi po spikaten nëpër porte më shumë se kurrë dhe konfiskimet e kanabisit janë trefishuar midis viteve 2018 dhe 2021. Portet e vendit janë bërë shënjestra për kriminelët. Trafikimi i lëndës drusore është gjithashtu një problem. Industria e bakrit, e cila përbën gati 11% të PBB-së së vendit, është goditur nga rrëmbimet e armatosura.

Problemi me kokainën

Lidhja me mafien shqiptare/ Amerika Latine, “parajsa” e drogës!

Kili është një nga vendet më të pasura të rajonit. Ai gjithashtu ka pritur gjysmë milion emigrantë venezuelas që arratisen nga regjimi i Nicolás Maduros.

Vendi ka tërhequr grupe mafioze si Tren de Aragua, banda më e madhe e Venezuelës. Ajo do të kontrollojë botën e krimit të Kilit, duke ndërtuar një perandori të trafikimit të njerëzve, në të gjithë Amerikën e Jugut.

Të shtënat me armë zjarri dëgjohen rregullisht në qytetin port Iquique. Qelitë e Tren de Aragua drejtojnë rrjete prostitucioni në disa qytete. Rreth 40 anëtarë të dyshuar, u burgosën në një provincë vitin e kaluar. Dhjetëra janë arrestuar gjatë bastisjeve të policisë këtë vit.

Për rrjedhojë, pjesa e kilianëve që thonë se emigrimi është i keq, është rritur nga 31% në dhjetor 2018, në 77% në prill 2023, sipas anketuesit Cadem.

Një tjetër sondazh zbuloi se shumica fajësojnë emigracionin e paligjshëm për rritjen e krimit. Duke u përballur me zgjedhje rajonale vitin e ardhshëm, qeveria është përqendruar më shumë te siguria.

Pasi tre policë u vranë në mars, zoti Boric premtoi një rritje vjetore prej 40% në buxhetin e sigurisë dhe miratoi dënime më të rrepta për krimet kundër policisë. Megjithatë, shumë e konsiderojnë atë si një politikan tepër të butë ndaj krimit.

Çfarë do të thotë ky rrjet i ri narkotik për shtetet që dikur përfaqësonin historitë e suksesit të Amerikës Latine? Shumë qytetarë e kanë treguar zemërimin me emigracion. Vitin e kaluar, ekuadorianët ishin kombësia e dytë më e madhe që kaluan kufirin Darien Gap të Panamasë, për të ndjekur rrugën drejt veriut.

Ata që qëndrojnë në atdhe, mund t’u drejtohen zgjidhjeve më të skajshme. Sipas sondazhit rajonal Latinobarómetro, 48% e qytetarëve të Ekuadorit, 31% e qytetarëve të Kilit dhe 22% e qytetarëve të Kosta Rikës, e renditin sigurinë si problemin më të madh të vendeve të tyre, mbi mesataren rajonale prej 13%.

Shumë latino-amerikanë e admirojnë presidentin autoritar të El Salvadorit, Nayib Bukele, i cili gjatë vitit të kaluar, ka mbyllur në burg 1.6% të popullsisë, në një përpjekje gjithëpërfshirëse për të goditur bandat dhe popullariteti i tij është 88%, më i larti në rajon.

Politikanët në të gjithë Amerikën Latine po marrin shënim sjelljen e tij. Më 15 tetor, Daniel Noboa, një 35-vjeçar i krahut të djathtë, fitoi zgjedhjet presidenciale në Ekuador.

Ai ka premtuar se do të ndjekë qasjen e zotit Bukele dhe do të ndërtojë burgje lundruese në Paqësor. Disa janë skeptikë se do të arrijë të frenojë problemin e bandave.

Por zgjidhje të tilla të çuditshme po bëhen gjithnjë e më popullore. Përballë bandave gjithnjë e më të fuqishme, shumë amerikano-latinë, po binden se sakrifikimi i të drejtave civile është një çmim që ia vlen të paguhet për sigurinë. /Monitor

EMISIONET