AKU bllokon ngarkesë misri nga Serbia pas dyshimeve për aflatoksinë / Drazho: Në pritje të analizave laboratorike

Në emisionin Alert, të moderuar nga Granit Sokolaj, këtë të premte po diskutohet tema: Ushqimi për kafshë dhe konsumatori, ku e ftuar në studio është Polikseni Drazho, nga Sektori i Aktivitetit Shkencor dhe Komunikimit me RASFF, pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU).

Drazho shpjegon se kontrolli zyrtar në ushqimin për kafshë kryhet sipas metodologjisë së vlerësimit të riskut. Pra, kemi kategorizim të bizneseve sipas riskut: i ulët, i mesëm ose i lartë.

"Në përgjithësi, duke qenë se shumica janë importues, risku konsiderohet i ulët ose i mesëm, që do të thotë se kontrolli kryhet një herë në 18 muaj ose një herë në 9 muaj, në varësi të nivelit të riskut.

Kjo është një procedurë rutinë, e cila përfshin kontrolle në biznes, në terren, por edhe në pikat e hyrjes, ku ekziston një plan konkret.

Përveç kontrollit që i bëhet çdo ngarkese në pikë, kryhet kontroll dokumentar dhe fizik i produktit, sepse janë dy lloje kontrollesh që zhvillohen në pikë: kontrolli fizik dhe ai i dokumentacionit. Këto bëhen për të shmangur problematika të mundshme, sidomos tek produktet që kanë specifika të veçanta, siç janë ato që kërkojnë zinxhir ftohës."

Drazho thekson se janë kryer kontrolle dhe janë marrë mostra, të cilat në përgjithësi kanë rezultuar konforme. Vetëm një rast gjatë vitit 2024 ka rezultuar jo konform, ku është konstatuar prania e salmonelës. Për këtë rast, është marrë masë administrative dhe është vendosur gjobë, sipas kërkesave të ligjit për ushqimin.

Ajo shton se problemi nuk është gjithmonë vetëm aflatoksina, pasi edhe raste të tjera si salmonela përbëjnë rrezik.

"Lidhur me rastin e misrit me origjinë nga Serbia, Drazho tha se janë kryer disa kontrolle dhe para disa ditësh është marrë një konfirmim nga ISUV për praninë e aflatoksinës.

Për këtë arsye, në terren ka shkuar një grup tjetër kontrolli dhe janë marrë 10 mostra për analizë mbi praninë e aflatoksinës në misër.

E gjithë ngarkesa është aktualisht e bllokuar deri në daljen e rezultatit të analizës. Nëse analiza rezulton pozitive, ngarkesa do të mbetet e bllokuar dhe do të asgjësohet, dhe do të vijohen penalitetet përkatëse sipas ligjit."

Sipas saj, çfarë masash merren në vendin tjetër është një pikë tjetër, por detyra jonë si institucion është të shtojmë kontrollet në pikë, sidomos në rastin e ngarkesave që vijnë nga ky subjekt.

EMISIONET