Aksidenti në aksin Rrogozhinë-Elbasan, zjarrfikësve ju deshën disa minuta për të nxjerrë viktimën, shoferi i kamionit rëndë psikologjikisht
Festim Meçe, 27 vjeç, humbi tragjikisht jetën në një aksident automobilistik në aksin Rrogozhinë-Elbasan, në vendin e quajtur "Bishti i Zhurit".
Mjeti tip "Benz" të cilin e drejtonte 27-vjeçari u përplas me këtë kamion që shikoni në video, ndërsa dëmtimet e mëdha të mjetit i shkaktuan plagë të rënda të riut i cili ndërroi jetë në vend.
Pamjet në video janë marrë pak minuta pas përplasjes fatale, ndërsa trupi i Festim Meçes ndodhet ende në makinë.
Efektivët e zjarrfikëses punuan për disa minuta me radhë për nxjerrjen e trupit nga makina pasi përplasja ishte e fortë sa mjeti ishte shkatërruar i gjithi dhe nxjerrja e trupit ishte e vështirë.
Drejtuesi i kamionit i identifikuar si shtetasi I.C është shoqëruar në komisariat në gjendje të rëndë psikologjike.
Ende nuk dihen shkaqet e aksidentit fatal dhe rrethanat në të cilat ndodhi ai mesditën e të enjtes, 4 gusht.
89 persona kanë humbur jetën në aksidente rrugore dhe 500 të tjerë janë plagosur nga janari në qershor të këtij viti në 581 aksidente të regjistruar në vend.

