Kush po e mbron në Vetting prokurorin Petrit Çano?

Kush po e mbron në Vetting prokurorin Petrit Çano?

Petrit Çano është drejtuesi i prokurorisë së Krujës. Dekretin për emërimin e tij e ka firmosur ish-presidenti Nishani.

Për ata që nuk e kanë në kujtesën e tyre, prokuroria e Krujës, e drejtuar nga zoti Çano është pikërisht ajo, ku kriminelë të dënuar me burgim të përjetshëm, lëviznin të gjithë gurët, të krimit, financës dhe të politikës që të rigjykoheshin aty. Dy nga më të njohurit e tyre, vrasës dhe krijues e drejtues të organizatave kriminale, Endrit Dokle dhe Genc Tafili, pikërisht nga gjykata e Krujës u liruan dhe ndaj vendimit të gjykatës, jo rastësisht, institucioni i prokurorisë që drejton zoti Çano nuk pati kundërshtim.

Herën e parë, menjëherë pas dhënies së vendimit të Gjykatës për lirimin e Endrit Dokles, drejtuesi i Prokurorisë së Krujës, Petrit Çano u pyet cila ishte arsyeja e moskundërshtimit të vendimeve për amnistinë nga organi që drejton. “Ashtu e kemi çmuar”, u përgjigj ai.

Një përgjigje “monumentale” për drejtuesin e parë të prokurorisë së shtetit, i cili e çmon të arsyeshme lirimin nga burgu të kriminelëve të njohur, të cilët edhe pse të dënuar me burgim të përjetshëm, marrin lirinë.

Herën e dytë, publikisht, zoti Çano është pyetur javët e fundit. Çështja është ngritur nga Komisioneri Publik, i cili në ankimin e tij ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur, ngriti si çështje shtesë, veç dy apartamenteve, të blerë nën çmimin e tregut dhe të pajustifikuar nga të ardhurat, edhe sjelljen e Prokurorisë në lirimet e Endrit Dokles dhe Genc Tafilit.

Çano tha se e kishte të pamundur të kontrollonte gjithë vendimet e Prokurorisë që drejton sepse kishte “shumë ngarkesë në punë”. Askush nuk e di me siguri se sa çështje të tilla të nxehta, ku vrasësit e dënuar me burgim të përjetshëm dërgohen në shtëpi, për shkaqe nga më absurdet, deri te stresi që u ka krijuar burgimi i gjatë, por asnjë lloj ngarkese nuk e justifikon dot qëndrimin e titullarit të institucionit të prokurorisë, çështja e të cilit është ende nën gjykim, për të qenë ose jo ende në sistemin e drejtësisë.

Do të mjaftonin për këdo qëndrimet e mësipërme, për të pasur bindjen se asnjë prokuror i tillë nuk mund të jetë përsëri pjesë e këtyre institucioneve, prokuror, i cili paturpësisht, deklaron se “ashtu e kemi çmuar”, pra të drejtë, vendimin për lirimin e kriminelëve dhe drejtuesve të grupeve kriminale, për të shkuar më tej, në alibinë aspak institucionale, por që fsheh në vete shumë gjëra të tjera, se ngarkesa në punë nuk e lejon të shohë çështje të tilla të nxehta”, kur fare mirë ka pasur kohë të bëjë presion ndaj një biznesmeni, për të njohur kontrata fiktive, për të krijuar akuza zyrash prokurorësh dhe shantazh përmes postit; ka pasur kohë të blejë nën çmim dy apartamente banimi, por edhe bëma të tjera, për të cilat kemi shkruar.

U bënë dy vite që çështja e tij zvarritet në organet e Vetingut. Më shumë se sa një çështje e nxehtë, ajo po trajtohet si përkëdhelje ndaj një prokurori që e sillka ligjin nëpër gishtat e dorës sipas gjykimit dhe kohës vetjake. Kush qëndron pas kësaj çështje, që zvarritet e zvarritet dhe krijon premisat e mbylljes dhe të heshtjes ndaj saj?

Ka një raport në Vetting, i cili ka konstatuar shumë shkelje të prokurorit Çano. Në disa raste të tjera, prokurorë pa mbështetje janë larguar nga detyra, megjithëse opinioni publik dhe i institucioneve monitoruese ka qenë mbështetës. Përse zvarritet vendimi për prokurorin Çano?

Kush është i interesuar që prokurorë që nuk reagojnë edhe kur lihen të lirë kriminelë të jenë ende pjesë e sistemit të drejtësisë? A është i domosdoshëm një prokuror që mbyll sytë ndaj çështjeve të nxehta, por që i hap fort kur është fjala për blerje apartamentesh nën çmimin e zakonshëm dhe kur bën shantazh në përfitim të autoritetit të postit të tij?Kur fut gruan në borderonë e Bashkisë dhe kjo merr rrogë pa shkuar asnjë ditë aty?

Sipas burimeve të gazetës, pas zvarritjes së vendimit, njeriu që mund të ketë ndikimin e tij, jo rastësisht, është presidenti Meta dhe njerëzit e tij në KPA.

Prokurori Çano është i njohur për lidhjet e vazhdueshme dhe të forta me një nga njerëzit e afërt të Ilir Metës, që quhet Vojo Bregu. Të jetë ky ura lidhëse mes zyrës presidenciale KPA dhe prokurorit Çano? Problemi është i thjeshtë. Ndikimet politike e jo vetëm politike, kanë ende ndikim në strukturat e larta të drejtësisë dhe si duket, ky ndikim do të jetë i pranishëm edhe shumë kohë.

Jo rastësisht ndodh edhe zvarritja e një vendimi që duhet të ishte saktësuar prej kohësh, sa është ende pa u liruar krimineli i radhës dhe prokurori i Krujës të gjejë të arsyeshme dhe të mendojë se vendimi është i drejtë dhe “punët” e shumta nuk i lënë kohë të dallojë.

Më mirë arkën bosh, se dreqin brenda – thonë të vjetrit. Ky është një rast i tillë./ Gazeta Dita

EMISIONET