25 vjetori i Epopesë së UÇK-së, Mehaj: Na bashkuan sot ata që kontribuan për trojet shqiptare
Në 25 vjetorin e Epopesë së UÇK-së, Ministri i Mbrojtjes i Kosovës Armend Mehaj, vlerësoi figurën e Adem Jasharit dhe kontribuesve të tjerë që dhanë jetën për liri.
"Faleminderit atyre që thanë kontributin e tyre anë e mbanë, në të gjithë trojet shqiptare. Sot na bënë bashkë jo vetëm për të festuar Epopenë e UÇK, komandantin legjendar Adem Jashari dhe gjithë ushtrinë. Kjo flet për të gjtihë dashurinë që kemi ndaj njëri-tjetrit," tha ai.
Me këtë rast edhe përmes sportit u shënua “Epopeja e UÇK-së”, në kujtim të personazheve legjendarë të Jasharajve dhe të gjithë të rënëve për lirinë e kombit dhe atdheut.
Në Kampin Nacional në Hajvali, u zhvillua ndeshja vëllazërore e futbollit ndërmjet ekipeve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë (FARSH).
Ndeshja mes ekipeve përfaqësuese të dy vendeve u zhvillua në atmosferë vëllazërore, përfundimi i së cilës u kurorëzua me ndarjen e kupave, medaljeve, dhuratave dhe mirënjohjeve për më të mirët nga ana e Ministrit Mehaj, Gjeneral Jasharit e Gjeneral Xhebexhiut.
Të pranishëm ishin dhe zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Kosovë, Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi si dhe zyrtarë si dhe oficerë të shumtë.

