Masakër para gjimnazit në Klos: Vret babë e bir, plagos 14 vjeçarin e të atin më pas vetëvritet. Arrestohen dy vëllezërit e autorit
Masakër në Klos.
Një 39 vjeçar në bashkëpunim me dy vëllezërit e tij vranë me armë zjarri babë e bir, Kenado Shira, 17 vjeç dhe të atin Ilir Shira 46 vjeç ndërsa plagosën Renato Hasula 14 vjeç dhe babain e tij Eglantin Hasula, 39 vjeç informoi sot policia e qytetit.
Dy vëllezërit bashkëpunëtorë u arrestuan ndërsa i dyshuari si autor i masakrës, Fiqiri Mjeshtri u gjet i vetëvrarë.
Vrasja
Vrasja që tronditi Klosin ndodhi sot (12 tetor 2022) rreth orës 14:15 minuta në qendër, përballë gjimnazit të këtij qyteti.
Djali 17 vjeçar humbi jetën në vendin e ngjarjes ndërsa i ati, Ilir Shira humbi jetën në spital si pasojë e plagëve të marra. Ndërkohë Renato Hasula 14 vjeç dhe babai i tij janë dërguar në Tiranë për mjekim të specializuar.
Arrestimi i vëllezërve dhe vetëvrasja
Policia menjëherë ka rrethuar zonën, ka bllokuar hyrje-daljet e qytetit të Klosit dhe ka ushtruar kontrolle në banesa, lokale dhe në ambiente të tjera.
Gjatë kontrollit të zonës, policia informoi se ka arrestuar Fatmir Mjeshtrin 44 vjeç dhe vëllanë e tij, Besnik Mjeshtri bashkëpunëtorë në këtë ngjarje. Ndërkohë kanë gjetur të pajetë, dyshohet të vetëvrarë, autorin kryesor të kësaj ngjarjeje, Fiqiri Mjeshtrin, 39 vjeç.
Pamjet e para
Pamjet e mbërritura në redaksi tregonin trupin e pajetë të 17 vjeçarit Kenado Shira në trotuarin pranë një lokali ku ndodhi vrasja. Ndërkohë policia rrethoi vendin e krimit dhe nisi kërkimet për arrestimin e autorëve.
Hetimet
Policia ende nuk ka dalë me një motiv që fshihet pas kësaj masakre por dyshohet se shkak ishte vajza e Fiqiri Mjeshtrit.
Në njoftimin e policisë thuhet se vrasja ka ndodhur për motive motive të dobëta. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat, vijon punën për sqarimin dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Për të shmangur një përplasje të re mes dy fiseve, në Klos u vendosën forcat Speciale të Policisë së Shtetit.
Lajmi u raportua nga gazetaret: Elton Qyno e Edison Vatnikaj, Spartak Doçi
Njoftimi i policise
Në qytetin e Klosit, dyshohet se shtetasi F. M., 39 vjeç, në bashkëpunim me dy vëllezërit e tij, ka vrarë me armë zjarri, për motive të dobëta, shtetasin K. Sh., 17 vjeç, si dhe kanë plagosur shtetasit I. Sh., 46 vjeç (babai i 17-vjeçarit), R. H., 14 vjeç dhe E. H., 39 vjeç (babë e bir).
Të tre të plagosurit janë transportuar në spital, për ndihmë mjekësore. Si pasojë e plagëve të marra, shtetasi I. Sh. ka humbur jetën në spital.
Shërbimet e Policisë, menjëherë pas marrjes së njoftimit kanë rrethuar zonën, kanë bllokuar hyrje-daljet e qytetit të Klosit dhe kanë ushtruar kontrolle në banesa, lokale dhe në ambiente të tjera.
Gjatë kontrollit të zonës, shërbimet e Policisë kapën dhe shoqëruan në ambientet e Policisë, shtetasin F. M., 44 vjeç dhe vëllanë e tij, shtetasin B. M., bashkëpunëtorë në këtë ngjarje.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të zonës, shërbimet e Policisë kanë gjetur të pajetë, dyshohet të vetëvrarë, autorin kryesor të kësaj ngjarjeje, shtetasin F. M., 39 vjeç.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat, vijon punën për sqarimin dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.