Thaçi: Nëse vlerësohet në mënyrë të ndershme, do të vërtetohet se nuk kam kryer krime lufte

Thaçi: Nëse vlerësohet në mënyrë të

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka përfunduar intervistimin në Gjykatën Speciale në Hagë, për të katërtën ditë me rradhë.

Presidenti Thaçi tha se për katër ditë ka dhënë dëshmitë e tij lidhur me aktivitetet që ka bërë gjatë periudhës së luftës.

Hashim Thaçi: “Sapo përfundova dëshmin time para prokurorit të dhomave të specializuara. Më vjen shumë mirë që për katër ditë kisha mundësinë të jap dëshmitë për të gjitha çështjet që lidhen me aktivitetin tim gjatë periudhës së luftës, dhe përpjekjet e mija për paqe, stabilitet, zhvillim dhe progres''.

Thaçi deklaroi para mediave, se nëse Gjykata vendos në mënyrë profesionale, do të vërtetohet që nuk ka kryer krime lufte.

Hashim Thaçi: ''Gjatë këtyre katër ditëve, jam mundur të jap informacione për rolin tim, përgjegjësitë e mija gjatë luftës. Gjatë tërë kësaj periudhe kam qenë i shoqëruar nga avokati, përkundër faktit që dëshmia ime ka zgjatur shumë, kemi pasur seanca produktive, tani i mbetet prokurorit dhe gjykatësit që të vlerësojnë me paanshmëri dëshmitë e mia. Në rast se ata e bëjnë këtë në mënyrë profesionale ata lehtë mund të vijnë në përfundim se unë nuk kam bërë asnjë krim lufte”.

Thaçi shtoi më tej se lufta e UÇK-së ka qenë e drejt dhe për liri, dhe se për këtë kanë pasur përkrahjen e botës.

Më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se më 24 prill ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër presidentit Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.

Thaçi më herët ka deklaruar se do të japë dorëheqje nga posti i presidentit, nëse aktakuza kundër tij konfirmohet.

Gjykatësi i procedurës paraprake ka maksimum gjashtë muaj kohë, nga muaji prill, për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzën.

Rajoni Lajme Kosovë hashim thaci intervistimi ne hage

EMISIONET