Greqia u trondit mbrëmjen e sotme nga një tjetër tërmet i fuqishëm, pas atij të djeshmit.

Por lëkundjet sizmike në shtetin helen, të dy me epiqendër pranë Larisas, kanë shkaktuar mjaft shqetësim edhe tek sizmiologët turq, pasi sipas tyre, ka të dhëna që i gjithë rajoni tashmë është nën një “stuhi tërmetesh” relativisht të fuqishme.

Sizmilogu turk Prof.Dr Hasan Sozbilir do të shprehej një ditë më parë se i gjithë rajoni ynë tashmë ka filluar të përballet brenda një kohe të shkurtër me tërmete që janë intensitet 6 ose mbi 6 të shkallës Rihter dhe kjo nuk është aspak e rastësishme.

Lexo edhe: Tjetër tërmet i fortë trondit Greqinë, ndjehet edhe në Shqipëri

Sipas tij, rajoni është nën një presion të madh dhe ky është shkaku pse ka tërmete të fuqishme, përcjell Ora News.

Ai kujton tërmetin e Izmirit pak muaj më parë që shkaktoi më shumë se 50 viktima, ndërsa shton se tërmet e fundit në Greqi janë në vazhdën e tij.

 “Ka disa muaj që zona po përballet me tërmete të fuqishëm. Fillimisht pllakat tektonike u thyen në ishullin Samos (përballë Izmirit), tani në Larisa dhe ka shumë gjasa që në rajon të përballemi sërish me tërmete të kësaj force në muajt në vijim”, shprehet sizmiologu, raportojnë mediat turke.

Për fat të mirë, tërmetet në Greqi nuk janë pasuar me viktima në njerëz, ndërsa lëkundjet janë ndjerë dhe në Shqipëri.