“Të alarmuarit” virtualë mbi zgjedhjet në Kosovë

“Të alarmuarit” virtualë mbi zgjedhjet në Kosovë

Një fenomen, që shfaqet i njëjtë në ngjarje të ndryshme, por që i lidh një logjikë: cënimi i establishmentit.

Çfarë ndodh?

Adresa të ndryshme, në shumicë false, pa identitet të qartë, nisin e gumëzhojnë tek ata që entuziazmohen nga një fitore mbi establishmentin, në Shqipëri e Kosovë. Përgjithësisht kërkojnë të relativizojnë fitoren, të godasin protagonistët, të tubohen pranë entuziastëve për t’i intimiduar, prekur në sedër, ngacmuar e demotivuar.

Sot në shumë postime miqsh, që urojnë Kosovën për procesin shembullor zgjedhor në kulm pandemie, pa incidente, me rezultat në kohë rekord, pa bllokime, gjithpërfshirës (diasporë, të sëmurë me covid, votë me kusht për ata që kishin frikë grrumbullimet në qendrat e votimit prej pandemisë), me pranim rezultati, urim fituesish e reflektim humbësish, hyjnë me të njëjtin nxitim, me fraza të ngjashme, të organizuar e në gatishmëri komentues kryesisht anonimë.

Argumenti bazë: Albini është i majtë ekstrem, do ta çojë në greminë Kosovën. Ok, pranohet me shumë dëshirë çdo mendim ndryshe, çdo përballje idesh, çdo kritikë, por kur mësymja shfaq vetëm një nuancë e kupton që problemi nuk është thjesht Albini, por çfarë këto zgjedhje përfaqësuan.

Gati gjysma e votuesve duan Vetvendosjen dhe u motivuan nga Albini e Vjosa.

Gjysma tjetër u nda mes partive të mëdha dhe liderve historik të dominimit dy dekadësh, LDK, PDK, AAK e partive të vogla, minoriteteve etj.

Pra të mëtosh se Albini, i provuar vetëm 2 muaj në kohë pandemie në qeverisje, mes intrigash politike që bashkuan në qëllimin e rrëzimit të tij edhe armiq të përbetuar na qenka e keqja e madhe e Kosovës, sot ngjan argument nga zori. Nga zori, për këdo dyshja Kurti-Osmani shkakton krisje tektonike në perceptimet mbi establishmentin e pathyeshëm dhe pushtetin e të fortëve të kamur të stilit “më të mirë se ne nuk ka”, apo “mirë ikëm ne, po kush vjen?”.

Pra ende pa u provuar një qeverisje që shënoi rekordin historik të votës në Kosovë na qenka e keqja e madhe? Po në qoftë ashtu, votën kosovarët dinë ta vërtisin mirë kokës. Ama mos jetë fati i qeverisjes produkt intrigash ujqërish të vjetër politikë, por thjesht i votës së popullit. Nëse dështojnë, pasojat bien mbi ta.

Kosova ia doli, me proces për t’u admiruar, votë referendare dhe kandidatë të qartë. Tani ka një problem madhor e nuk është ai i “të alarmuarve me komandë” të establishmentit, por zgjedhja e Presidentit, që kërkon 2/3 në kuvend dhe vullnet politik për të shmangur zgjedhje të tjera në pamundësi të dakordësisë mbi emrin e kreut të shtetit. Këtu nuk ka më asgjë në dorë vota popullore, por klasa politike duhet të dëshmojë se është në lartësinë e qytetarisë dhe vullnetit të sovranit, që foli qartë e pastër.

Ndaj grupet e organizuara të frenimit të ekzaltimit shqiptar mbi cilësinë e zgjedhjeve në Kosovë, t’i ulin frenat e dorës se e “bukosën” makinën propagandistike.

Po dhe po! “Ndryshimi” ishte fjala kyç e këtyre zgjedhjeve dhe kur ai duhet të ndodhë populli, pjesmarrja e lartë, vota masive bëjnë histori. Nuk e bëjnë dot çetat virtuale...nuk...po dhe as e ndalin dot xhanëm.

Lexo edhe:

Zgjedhjet në Kosovë, kush shënoi rritje e kush pësoi rënie nga 2019

Kosove Lajme Opinione Albin Kurti Vjosa Osmani Sonila Meço zgjedhje

EMISIONET