Tri skuadra ‘big’ nga Anglia e duan, sulmuesi i Juves në dilemë për rinovimin
Dusan Vlahovic është rikthyer në fushë në barazimin e Juventusit kundër Bolonjës, pas një periudhe pauze për shkak të një dëmtimi.
Me rikthimin e sulmuesit serb, trajneri Thiago Motta synon të ndryshojë tendencën e javëve të fundit, si në kampionat ashtu edhe në Champions League, duke forcuar repartin ofensiv që ka shfaqur jo pak probleme në këtë pjesë të parë të sezonit.
Megjithatë, rreth Vlahovicit vazhdojnë të qarkullojnë zëra merkatoje, pasi lojtari prej kohësh është në negociata me klubin bardhezi për rinovimin e kontratës, duke përfshirë një ulje të pagës.
Aktualisht, kontrata e tij skadon në vitin 2026, dhe nëse nuk firmos për rinovim, Juventus do të duhet të shqyrtojë me kujdes hapat e ardhshëm gjatë verës.
Nëse Juventusi vendos të pranojw një transferim në verë, destinacioni më i mundshëm duket të jetë Anglia.
Arsenali, që në të kaluarën tregoi interes serioz për të kur Vlahovic kaloi nga Fiorentina tek Juventusi, mund të rikthehet në lojë.
Përveç Arsenalit, edhe Chelsea e Manchester United po ndjekin situatën nga afër dhe janë gati të veprojnë në momentin e duhur.
Në këtë sezon, Vlahovic ka regjistruar 17 paraqitje, duke shënuar 9 gola dhe dhënë 2 asistime.