Transferimi te Barcelona, Niko Williams ende i pa vendosur

Transferimi te Barcelona, Niko Williams ende i pa vendosur

Situata rreth transferimit të Nico Williams te Barcelona është duke u kthyer në një nga çështjet më të nxehta të merkatos verore.

Pas javësh bisedimesh dhe një akordi personal të arritur mes palëve, katalanasit i kanë bërë të qartë lojtarit se nuk janë të gatshëm të presin pafund.

Nëse nuk jep dritën jeshile menjëherë, marrëveshja mund të bjerë, njësoj siç ndodhi verën e kaluar.

Nico Williams, një nga yjet e rinj të kombëtares spanjolle, ka komunikuar me Athletic Bilbaon se dëshiron të transferohet te Barcelona dhe ka rënë dakord për një kontratë që do ta mbajë në “Spotify Camp Nou” deri në vitin 2031.

Por gjithçka varet nga pagesa e klauzolës së lirimit prej 58 milionë eurosh, plus indeksimi sipas inflacionit. Athletic nuk pranon të negociojë – klubi bask kërkon vetëm shlyerjen e klauzolës në tërësi.

Megjithatë, në fundjavë situata mori një kthesë. Williams kërkoi garanci të qarta nga Barça që do të regjistrohej zyrtarisht në skuadër që ditën e parë të sezonit.

Ai nuk dëshiron të përjetojë të njëjtin kalvar si Dani Olmo, që qëndroi për javë të tëra pa mundur të luajë për shkak të kufizimeve të La Ligas dhe vonesave në regjistrim, derisa ndërhyri Këshilli i Lartë Sportiv.

Barcelona, nga ana tjetër, i ka bërë të ditur lojtarit se është gati të paguajë klauzolën – një deklaratë e mbështetur edhe nga presidenti Joan Laporta, i cili ditë më parë tha se klubi është në gjendje të përballojë një klauzolë të madhe, nëse lojtari e justifikon. Por drejtuesit blaugrana nuk duan që transferimi i Williams të shndërrohet në një tjetër “culebrón” vere.

EMISIONET