“Ideja më e keqe në futboll” - Guardiola përplaset me Klopp për Botërorin e Klubeve

Pep Guardiola, trajneri i Manchester City-t, ka reaguar në lidhje me kritikat e Jurgen Klopp për Botërorin e Klubeve, duke thënë se e kupton dhe e respekton plotësisht qëndrimin e trajnerit gjerman, i cili e quajti këtë kompeticion “idenë më të keqe në futboll”.
Megjithatë, theksoi krenarinë që ndjen për pjesëmarrjen e skuadrës së tij në këtë turne.
“Nuk është ideale për një trajner. Do të doja të kisha dy muaj përgatitje për sezonin e ri, por është kjo që është. Tani që jemi këtu, do të japim më të mirën,” deklaroi Guardiola në konferencën për shtyp para ndeshjes kundër Al Hilal në Orlando.
Ai shtoi se trajnerët nuk janë ata që vendosin për kalendarin dhe kompeticionet, duke kujtuar bashkëpunimin dhe përpjekjet e përbashkëta me Klopp në takimet me UEFA-n për të përmirësuar ngarkesën e lojtarëve në Premier League.

Duke folur për kalendarin gjithnjë e më të ngjeshur, Guardiola u shpreh i shqetësuar për efektet afatgjata. “Ndoshta në nëntor, dhjetor, janar do të jemi në kolaps. Ndoshta Botërori do të na shkatërrojë. Por ky është realiteti, dhe ne jemi këtu sepse e kemi merituar.”, tha ai.
Në lidhje me temperaturat e larta që po ndikojnë në Botërorin e Klubeve, trajneri spanjoll e mori me sportivitet duke theksuar se e konsideron veten trajner të mirë por nuk mund të kontrollojë rrufetë dhe vetëtimat.


