Trajneri i AEK-ut mbron Strakoshën: Kushdo që ndërmerr rreziqe bën gabime!

Trajneri i AEK-ut mbron Strakoshën: Kushdo që ndërmerr rreziqe

Thomas Strakosha ka qenë në epiqendër të kritikave pas një starti aspak të mirë të sezonit me fanellën e AEK, ku ka bërë disa gabime në ndeshjet e Ligës së Konferencës.

Por edhe pse është kryqëzuar nga mediat, trajneri i njohur argjentinas i klubit grek, Matias Almeida, i ka dalë në mbrojtje portierit të Kombëtares shqiptare.

Në konferencën e sotme për shtyp para sfidës së kthimit me Noah të Armenisë, Almeida ka folur rreth situatës së portierit shqiptar, duke kërkuar që të mos përmenden vetëm gjërat negative të tij.

Ne kemi kuptuar gabimet individuale dhe kolektive. Duhet t’ju kujtoj që në ndeshjen e parë, Strakosha kishte dhënë një asist dhe bëri ndërhyrje të mira para se të bënte gabimin. Kur dikush bën një gabim, njerëzit fillojnë të flasin. Fillojnë të të kritikojnë dhe duket sikur je një katastrofë e vërtetë.

Gjatë këtyre dy viteve në skuadër, ajo që kemi arritur ëshstë bashkimi që kemi krijuar dhe respekti përtej gabimeve. Çdokush që ndërmerr rreziqe do të bëjë gjithashtu gabime. Duhet t’i mirëkuptojmë këto momente. Dikush që ka më shumë eksperiencë dhe ka jetuar edhe në vende të tjera si unë, duhet t’i kuptojë periudhat e ndryshme.

Kjo vjen me punë, me besimin që tregon dhe mbi të gjitha me punën që bëri skuadrën të ishte konkurruese. Do të tregonte dobësi nga ana jonë po të besonim këto gjëra. Përgjigja më e lehtë është që e keqja përsërit gjithmonë veten. sa më shumë që përsërit diçka të mirë, e njëjta gjë mund të ndodhë edhe me diçka që është bërë keq dhe pastaj ajo mbetet në mendje”, tha Almeida, duke kërkuar që të lihej pas tema e diskutimit rreth gabimeve të Strakoshës.

Portieri shqiptar pritet të jetë nesër përsëri në fushën e lojës në ndeshjen e kthimit që AEK luan kundër Noah, për të tentuar përmbysjen e humbjes 3-1 në transfertë.

EMISIONET