Tour de France/ Paret-Peintre fiton në Mont Ventoux, Pogacar forcon epërsinë me fanellën e verdhë

Tour de France/ Paret-Peintre fiton në Mont Ventoux, Pogacar forcon

Valentin Paret-Peintre ka shkruar faqen më të bukur të karrierës së tij në çiklizëm, duke triumfuar në majën mitike të Mont Ventoux gjatë etapës së 16-të të Tour de France.

Çiklisti francez i skuadrës Soudal-Quick Step mposhti në një sprint përfundimtar në lartësi irlandezin Ben Healy dhe kolumbianin Santiago Buitrago.

Etapa nisi me një grup të madh çiklistësh në arratisje, të cilët morën më shumë se gjashtë minuta epërsi ndaj grupit kryesor me fanellën e verdhë.

Mes tyre u dalluan emra si Mas, Trentin, Alaphilippe dhe Arensman, të cilët patën një ritëm të fortë në ngjitjen drejt Mont Ventoux.

Spanjolli Enric Mas provoi një shkëputje ‘solo’ në 12 kilometrat e fundit, por nuk arriti t’i rezistojë rikthimit të Healy dhe Paret-Peintre, të cilëve më pas iu bashkua edhe Buitrago.

Në sprintin final, ishte Paret-Peintre që tregoi më shumë forcë dhe qetësi, duke rrëmbyer një fitore të madhe.

Pas tyre, në betejën për renditjen e përgjithshme, Tadej Pogacar dhe Jonas Vingegaard dhuruan një duel spektakolar në shtatë kilometrat e fundit.

Danezi nuk ia doli t’i shkëputej sllovenit, i cili madje tentoi vetë një sulm në fund, duke përfunduar i pesti dhe duke fituar dy sekonda ndaj rivalit të tij.

Në klasifikimin e përgjithshëm, Pogacar forcon pozitën si lider, me një avantazh prej 4 minutash e 15 sekondash ndaj Vingegaard dhe mbi 9 minuta ndaj gjermanit Lipowitz. Tour-i tani hyn në një fazë vendimtare me dy ditë intensive në Alpe.

EMISIONET