Tension Shqipëri-Kosovë edhe në futboll, menaxheri i “Dardanëve” akuzon për shantazh
Sulmuesi i majtë i Antwerp, Arbnor Muja, aktualisht pjesë e Kosovës po kthehet në një “mollë sherri” mes përfaqësueses “Dardane” dhe Shqipërisë, të paktën kjo kuptohet nga deklarata e tensnionuar e menaxherit të Kosovës, Arbnor Shala, i cili hodhi poshtë lajmet se Muja mund t’i bashkohet Kombëtares Shqiptare.
Shala i ka quajtur këto spekulime dhe ka thënë se kjo nuk është hera e parë që Kosova po shantazhohet në mënyra të tilla nga shumë lojtarë, përkatësisht agjentët e tyre që po bëjnë trysni se do të largohen nga “Dardanët” për t’iu bashkuar një përfaqësuese tjetër.
“Situata e Mujës është shumë e thjeshtë dhe spekulime janë të gjitha ato lajme se do të shkoj të Shqipëria. Ai është dhe mbetet futbollist i Kosovës. Kjo është temë e mbyllur dhe ai mbetet pjesë e ekipit.
Më shqetësuese se kjo është një lloj trendi që vazhdimisht ka qenë vitet e fundit, ndoshta që nuk vjen nga futbollistët por agjentët e tyre duke bërë shantazh që sa herë nuk ftohet një lojtarë, atëherë flitet se do të shkojë te Shqipëria.
Por, te ne kjo temë në diskutohet dhe duam t’ua bëjmë me dije të gjithëve se nuk pranojmë shantazhe të tillë. Nëse ata nuk ftohen nga trajneri për shkak të vendimeve të tij, atëherë nuk mund të gjejnë forma të tilla për të shantazhuar Kosovën duke kaluar te përfaqësueset tjera. Kemi pasur raste të tilla edhe që janë larguar, por ata që duan të largohen janë të lirë të bëjnë një veprim të tillë”.