Kombëtarja me ritëm të plotë, me grupin bashkohen dy lojtarët e radhës (VIDEO)
Një tjetër ditë e ngarkuar për Kombëtaren Shqiptare, e grumbulluar që prej 5 ditësh në kuadër të ndeshjeve me Moldavinë dhe Ishujt Faroe. Trajneri Sylvinho zhvilloi sërish vetëm një seancë stërvitore por me ritëm të plotë.
Grupi kuqezi thuajse është kompletuar, teksa ditën e sotme janë bashkuar me ekipin edhe mbrojtësi Elseid Hysaj dhe sulmuesi Taulant Seferi. Sakaq, grupit pritet t’i bashkohen në vijim edhe Kristjan Asllani e Jasir Asani.
Ashtu sikurse gjatë gjithë kësaj jave, grupi i është drejtuar fillimisht qendrës së fitnesit në Shtëpinë e Futbollit për të kryer disa minuta stërvitje në palestër, ndërsa më pas ka vijuar në fushë me ushtrime të përgatitjes fizike. Trajneri Silvinjo dhe stafi teknik kanë vijuar më tej edhe me pjesën taktike për situata të ndryshme të lojës, duke provuar edhe vendosje të ndryshme në fushë.
Të gjithë lojtarët gëzojnë formë shumë të mirë fizike dhe se atmosfera në grupin kuqezi është shumë e mirë. Edhe impenjimi nga ana e futbollistëve shqiptarë është maksimale.
Shqipëria do të luajë ndeshjen e parë ndaj Moldavisë më 17 qershor në stadiumin kombëtar “Air Albania”, ndërsa më 20 qershor, kuqezinjtë do të luajnë në transfertë ndaj Ishujve Faroe. Të dyja këto ndeshje janë të vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian ‘Gjermani 2024’.