SYTË TE BOTËRORI I KLUBEVE! Bellingham: Shansi për të marrë trofeun e parë

Në Spanjë, Real Madrid nuk shkoi më shumë se vendi i dytë në La Liga. Tashmë klubi po përgatitet për botërorin në klube. Bellingam në reagimin e tij të parë thekson se është mundësia që madrilenët të marrin këtë trofe që jepet për herë të parë

SYTË TE BOTËRORI I KLUBEVE! Bellingham: Shansi për të

Jude Bellingham ka ndarë mendimin e tij lidhur me Botërorin e Klubeve 2025, duke e konsideruar këtë turne si një mundësi historike për Real Madridin dhe për vetë futbollistët. Për mesfushorin anglez, bëhet fjalë për një titull ndryshe nga ata tradicionalët, por që ka një rëndësi të madhe për klubin më të titulluar në Europë.

“Është një mundësi për të fituar një trofe të ndryshëm, dhe mendoj se kjo është e vërteta. Të jesh klubi i parë që fiton këtë version të ri të Botërorit të Klubeve është diçka speciale. Real Madridi e meriton një njohje të tillë dhe kjo është një tjetër mundësi për të shkruar histori”, theksoi Bellingham.

Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë që ka ky turne edhe për tifozët madrilenë në SHBA, ku do të zhvillohet kompeticioni:

“Është një mundësi e mrekullueshme për të luajtur në Shtetet e Bashkuara, ku nuk kam pasur mundësi të luaj rregullisht. Gjithashtu, do të përballemi me kundërshtarë që nuk do t’i kishim hasur në kushte normale. Kjo e bën gjithçka edhe më interesante”.

Bellingham shprehu bindjen se turneu do të tërheqë një vëmendje të madhe në mbarë botën:

“Të gjithë ndeshjet tona do të jenë të veçanta sepse kemi tifozë kudo. E kemi parë në fazat përgatitore që çdo vit numri i tyre rritet. Do të jetë fantastike për ne. Por edhe për skuadrat e tjera është një mundësi unike për t’u përballur me më të mirët e Europës, një skenë që zakonisht nuk u ofrohet. Do të sjellin tifozët e tyre dhe do të krijohet një atmosferë ndryshe nga ajo europiane, me ngjyrime latine apo aziatike. Kjo do e bëjë përvojën edhe më të bukur”, u shpreh anglezi.

Në përfundim, Bellingham theksoi se pavarësisht pikëpyetjeve që ekzistojnë për formatin e ri të Botërorit të Klubeve, për Real Madridin ky është një synim serioz: “Është edicioni i parë dhe të gjithë janë kuriozë të shohin si do të zhvillohet. Por për ne është një mundësi për të fituar një titull historik dhe nuk e marrim lehtë. Në një klub si ky, është e vështirë të bësh diçka që s’është bërë më parë. Prandaj kjo është një mundësi e veçantë për ne”.

Ndeshja e parë e realit në këtë kompeticion do të jetë me Al Hilal në qershor, ndërsa në grup h janë katër ekipe. Ndërkaq në Spanjë ekipi nuk mundi të shkojë përtej vendit të dytë.

EMISIONET