“Suarez shënonte tre gola edhe me kavilje të dëmtuar e takat e shokëve të skuadrës”
Raheem Sterling ka shumë kujtime të veçanta nga karriera e tij e gjatë në disa klube të Premier League, por ai që i ka ngelur në mendje ka lidhje me një nga sulmuesit më të fortë të planetit gjatë dekadave të fundit. Bëhet fjalë për Luis Suarez, ish-shokun e skuadrës te Liverpool me të cilin luajti disa sezone. Në një intervistë të dhënë kohët e fundit ai deklaron:
“Nuk do ta harroj kurrë ditën kur kavilja e Suarez u fry aq shumë sa nuk mund ta besoja. Dikush tjetër do të thoshte: Jo, nuk mund të luaj me këtë dëmtim. Gjithsesi ai nuk pranoi të dorëzohej dhe vendosi të hynte në fushë e të luante. Kavilja i ishte fryrë aq shumë sa u detyrua të vishte takat e Gerrard që ishin dy numra më të mëdhenj. Atë ndeshje, ai ia doli të luante në mënyrë të shkëlqyer dhe në fund mori topin në shtëpi pasi shënoi tre gola. Nuk njoh asnjë lojtar tjetër që do ta kishte bërë një gjë të tillë”.
Luis Suarez ka shënuar 82 gola në 133 ndeshje me fanellën e “The Reds” ndërsa më pas u largua në Spanjë për të vazhduar karrierën me Barcelonën.