Sinjale largimi? Inzaghi: Do të flas me Marotta-n dhe klubin, për të mirën e Interit dhe timen

Simone Inzaghi, trajner i Interit, foli kështu për Sky Sport gjatë ditës së hapur për mediet përpara finales së Champions League që do të luhet të shtunën kundër PSG-së:
"Rruga në Champions ka qenë e jashtëzakonshme, na ka çuar në finalen e dytë në tri vite.
Qëllimi ynë i madh është të fitojmë të shtunën: e dimë që përballë kemi një kundërshtar të shkëlqyer, por do të bëjmë gjithçka për t’u përgatitur sa më mirë për ndeshjen."
Si e përballoni hidhërimin për kampionatin e humbur?
"Është normale të ketë zhgënjim për kampionatin që sapo përfundoi. Donim ta fitonim, por patëm përballë një rival shumë të fortë, që meriton komplimente. Tani objektivi është finalja e së shtunës në Mynih."
Jeni më favoritë kësaj here krahasuar me finalen ndaj Manchester City-t?
"Fakti që kemi luajtur tashmë një finale do të na ndihmojë. Përballë kemi një skuadër shumë të fortë, siç ishin edhe Bayerni, Barcelona, City, Arsenali... Të gjitha që kemi hasur.
Kemi vetëbesim në forcat tona dhe respekt për PSG-në, një skuadër e madhe me një trajner shumë të mirë, që ka një stil loje të qartë. Do të futemi në fushë me parimet tona të lojës, vendosmëri, organizim dhe intensitet."
Çfarë ndryshon krahasuar me përballjet tuaja të mëparshme në Europë?
"Ata kanë gjithçka: cilësi të lartë te lojtarët dhe organizim nga një trajner që e vlerësoj shumë si Luis Enrique. Kanë mbërritur me meritë në finale, ashtu si edhe ne."
Sa do të ndikojë rezultati i së shtunës në të ardhmen tuaj?
"Tani të flasësh për të ardhmen nuk ka aspak kuptim, përderisa kemi këtë ndeshje përpara.
Do të takohemi me presidentin dhe klubin, në qendër të diskutimit do të jetë gjithmonë e mira e Interit, si gjithmonë gjatë këtyre viteve."
Dhe e mira e Inzaghi-t?
"Sigurisht."

