Matematika e Botërorit, Delia: Këto janë ekipet që po luten për një mrekulli në minutën e fundit

Kampionati Botëror po dhuron emocione të forta dhe përballje të parakohshme që kanë lënë jashtë skuadra me pretendime të mëdha. Fati i shortit u tregua i pamëshirshëm duke përplasur që në fazën e 1/16-ave dy ekipe gjigante si Holanda dhe Maroku, ky i fundit një nga ekipet më të mira të turneut.

Një përballje e tillë ka shkaktuar keqardhje te sportdashësit, pasi të dyja kombëtaret kishin potencial për të shkuar shumë më larg në këtë kompeticion.

I ftuar në emisionin “Ora e Botërorit” në “Ora News”, specialisti i futbollit Bashkim Delia tha se ndërkohë që rreth 12 ekipe, përfshirë edhe Argjentinën, e kanë konsoliduar tashmë pozicionin e tyre në klasifikim duke siguruar kalimin më tej falë pikëve dhe golavarazhit, vëmendja tani është e përqendruar te beteja e ashpër për biletat e mbetura.

Llogaritë janë bërë të komplikuara dhe gjithçka mbetet e varur në fije të perit për tre vendet e fundit në fazën tjetër.

Në ndeshjet përfundimtare të mbetura, katër apo pesë ekipe do të zbresin në fushë me shpresën e vetme për t'u kualifikuar. Ndeshjet e fundit përcaktuese po e kthejnë situatën në një dramë të vërtetë matematike. Irani është një nga kombëtaret që po mban frymën dhe po bën llogaritë.

Me tre pikë dhe një golavarazh zero, shpresat e tyre varen tërësisht te hapat falsë të kundërshtarëve. Nëse Kroacia humbet, apo ndonjë ekip tjetër me golavarazh të dobët dështon, Irani ka shanse reale për të kaluar mes më të mirëve. Çdo gjë pritet të vendoset nga përballjet dramatike të orëve në vijim, ku vetëm fusha e gjelbër do të japë verdiktin përfundimtar.

PËR MË SHUMË NDIQNI EMISIONIN “ORA E BOTËRORIT” NË “ORA NEWS”

EMISIONET