Shpërthen Allegri: E pamundur të luajmë në këtë situatë
Massimiliano Allegri gjen “alibi” pas humbjes së rëndë me Empolin edhe pse Juyventusi me një fitore mund të rikthehej sërish në orbitën Champions, pavarësisht heqjes së 10 pikëve në klasifikim nga Apeli i Federatës Italiane për çështjen e plusvalencave.
“Ishte një rrëzim psikologjik pas një sezoni surreal. Në këtë pikë jemi lodhur, mjafton të na thonë se ku duhet të luajmë por ta bëjnë një herë e mirë. Djemtë kanë bërë maksimumin dhe nuk kam se çfarë t’u kërkoj më tepër.
Kjo nuk është një alibi për humbjen por ta gjesh veten me 10 pikë më pak rreth çerek ore nga fillimi i ndeshjes është e rëndë. Ka qenë një fazë shumë e lodhshme, gjithmonë në ngjitje dhe ne në fushën e lojës jemi të dytët”, deklaron trajneri toskan, sipas të cilit, sezoni tashmë është kompromentuar dhe ndikuar nga vendimet që po merren jashtë fushës së lojës.